E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orvatja e mëkatarëve për të përligjur krimet e diktaturës

Paradokset, si pasojë e mendësive komuniste të nxitura në vendin tonë nga majtizmi ekstrem, si edhe veprimtaria në dëm të demokracisë, e mundësuar nga kjo mendësi, përbëjnë një fatkeqësi kombëtare. Vendi ynë po e ndjen zvarritjen që i bëhet qeverisjes së sotme të bashkëpunimit PS-LSI në çështje për të cilat është i interesuar i gjithë populli ynë. Opozita e tanishme është e interesuar që të vonojë sa të mundet liberalizimin e vizave Shengen dhe aderimin në BE. Thjesht për interesa vetjake të kryetarit i cili, de jure, është i shfronësuar.
Pasi Edvini u hardallos se faktori ndërkombëtar ia tha copë se bojkoti i tij është i papranueshëm nga opozitat demokratike të sotme, lejtënanti i tij, G. Ruçi, iu vu kundër prononcimeve të personaliteteve euroatlantike: “Nuk i duam të na vërdallosen nëpër këmbë!”. U shkrua në shtypin demokratik: “Kërkon vetizolimin, sipas veprimit autarkik të E. Hoxhës, që të mos i tronditeshin karriget?”. I vetëquajturi Salomoni legjislativ (antiligjor), që do të rrëzonte pushtetin brenda tri ditëve ( pastaj, me kalim të afatit të shpallur si në një seli virtuale gjyqësore) u bë zemërgjerë dhe e shtyu afatin: brenda tri javëve! Harroi se “parimet” e tij ishin të së djathtës liberale dhe po i shërbente së majtës ekstreme! Sipas këtyre mençurive të “liberalizmit demokratik” na del edhe T. Balla në parlamentin-motel, sipas mendimit leninist të marrjes së pushtetit me kriteret leniniste, e na profetizon se qeverisja do të bjerë më 30 prill!
Ja përse lustracioni u dashka lëngëzuar gjer në atë farë feje nga Rama, - por sidomos prej atyre që e manovrojnë nga lart atë, - si një marionetë, - që mëkatarët e diktaturës të jenë të sigurt dhe të mos shohin ëndrra të këqija. Këtë subjekt ma pruri një miku im, si kupyrë, të trajtuar në faqet 10 dhe 11 të një gazete, me titullin: “PS kundër ligjit të spiunëve, sepse largohen nga administrata shërbyesit e saj të devotshëm”. është një replikë ndaj Agron Dukës prej Kostandin Koliqit.
Autori flet qartësisht dhe shkoqur. Madje i paraqitet publikut: “Si një ish-punëtor i Shërbimit Informativ Ushtarak në periudhën e demokracisë, - por jo në kohën kur drejtonte partia që e bëri ministër zotin Duka, - më është krijuar mundësia të njihem me punën shumë të ndyrë që bënë Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët e tij, të udhëhequr nga Partia e Punës”. Z. Koliqi tregon, në vijim: “Nga kjo punë (...) kanë vuajtur shumë nga familjarët e mi, por edhe familjarët e z. Duka, nëpër burgjet e skëterrës komuniste”.
Kjo frazë më sjell në kujtesë Polina Molotovin, të shoqen e Vjaçesllavit. Ajo, ndonëse zëvendësministre, u dënua me internim, për pesë vjet, në Kustanaj të Azisë qendrore, si çifute, në kohën e fushatës antisemite (1949). Stalini, ndonëse e trajtonte me simpati në mbrëmjet në vilën e tij të Kuzencovos, si grua inteligjente dhe të veshur në “mënyrë të hirshme”, e dënoi sepse kjo kishte takuar Golda Mejerin e Izraelit, në Moskë(!). Pas katër vitesh internim u lirua, me rastin e vdekjes së Stalinit. Mund të kishte vdekur po të bënte edhe një vit internim. E, megjithatë, i ra të fikët kur mësoi vdekjen e masakruesit të jetës së saj familjare! Ja ç’është mazokizmi!
Këtë cilësím meritojnë edhe ata që, përpara togës së ekzekutimit, brohoritën: “Rroftë shoku Enver!” – në vend të “Rroftë Shqipëria. . .(siç është dokumentuar, tani, në procesverbalet e ekzekutimit). Nuk e dimë sesi do ta bënte thirrjen e fundit Taku, që tani na flet me afsh për “demokracinë” e tij, paçka se u shërben tanimë armiqve të demokracisë. Mos të përfitojë nga burgu, pra. Nuk e dimë ç’qëndrim do të mbante, sikur i ati nuk do të burgosej dhe e ëma nuk do të vuante nga diktatura. Sepse kur ishte zëdhënës i PD-së fliste ndryshe dhe tani ka fjalor tjetër, meqë nuk mori postin e ministrit, por mbeti vetëm deputet i PD-së (2005), gjë që ishte pak për megalomaninë e tij, e cila e bënte të harronte se kishte ndërruar disa parti dhe, tanimë, nga monarkist na flet për diktaturën e A. Zogut! Po Preçi, a do ta bënte gojën kamare kundër Berishës, po të ishte zgjedhur deputet i PD-së? Por ja që drejtuesit tanë të programeve televizive na qenkan me namuz dhe nuk bëjnë pyetje të tilla, për të mos bezdisur ata që duan të hapin kutitë dhunshëm, pa treguar dot sesi mund të hapen, në konformistet me Kushtetutën...
***
“Ata që kanë kontribuar në dëm të pjesës tjetër të popullit, e dinë mirë se po hyri në zbatim (një ligj i përshtatshëm kundër diktaturës), zyrat e shtetit do të boshatisen nga shumë nëpunës që i kanë shërbyer me besnikëri sistemit të kaluar. Por ka edhe një arsye tjetër që PS-ja e kundërshton ribërjen e ligjit për dosjet, se ka hallin që i largohet një kontingjent i vlefshëm për të, nga administrata publike. Dhe kjo pjesë që i shërben me devotshmëri PS-së është e madhe në numër dhe vazhdon t’i shërbejë asaj” – citojmë nga kjo replikë e çmueshme. Do të shtoja se mëkatarët që janë në krye të këtij kontingjenti janë ata që bëjnë ligjin, në prapaskenë, në partinë trashëgimtare të Partisë së Punës dhe në personin që e drejton tani atë parti. Artikullin e Dukës që replikohet nga K. Koliqi, nuk e kam lexuar. Por nga një frazë kuptohet se ç’ka thënë Duka në shkrimin e tij. Fraza e Koliqit është kjo: “E djathta nuk i ka përdorur të famshmet dosje, vetëm kur ka pasur interesa politike të momentit, - siç thoni ju. Përkundrazi. E djathta e bëri ligjin dhe e zbatoi, duke filluar nga radhët e saj. Por e majta e dinte se, po të vazhdonte kjo punë, do të mbetej zbuluar. Dhe, për të shpëtuar kuadrot e saj fanatike, fabrikoi atë katrahurë që tashmë e dimë të gjithë”.
Kuptohet se Duka ka përmendur edhe emrat e Rusmajlit dhe të Bushatit. “Këtë e beni pak me hile”,- shkruan replikuesi. Do të shtonim se e ka bërë me shumë hile. Rusmajli ka qenë demokrat i hershëm. Bushati, duke thënë se e ka për nder që është i biri i Sulejman Bushatit, që ishte sekretar I i komitetit të Partisë, që kishte në kompetencë për të bërë lista internimesh, burgimesh dhe ekzekutimesh, me gjyq apo pa gjyq, është e qartë se ndryshesa është e dukshme. Ku ishin familjarët e Ditmir Bushatit, Ditmiri vetë (pavarësisht se i vogël në moshë), si edhe padronët e sotëm të Ramës, kur Berisha, Azemi dhe demokratët e tjerë të devotshëm gjendeshin në tribunat me dy gishtat lart, ndërsa sheshi para pallatit të Operës dhe të Baletit mbushej përplot nga ata që përmbysën shtatoren e Enverit e që buçisnin me thirrjet për liri-demokraci? Këtu nuk e kemi fjalën, natyrisht, me ata që i hëngrën bukën e i përmbysën kupën demokracisë, si Mustafa Nano, Mero Baze e mercenarë të tjerë. Disa nga këta renegatë kanë paturpësinë t’i thonë Berishës komunist , për të mbuluar komunizmin e tyre me brirë, me të cilin janë bërë ortakë. Ata ithtarë, tashmë, të Ramës e dinë dallimin ndërmjet sekretarit të partisë së një institucioni (aq më tepër mjekësor), ose të një ndërmarrjeje, me sekretarët e Komiteteve të Partisë, si i ati i Ditmirit. Prandaj edhe qëndrimi politik ndaj demokracisë, në ditët e para të saj, duhet të ketë domethënien e vet, në përpilimin e një lustracioni demokratik.
Shkrimtari Bashkim Shehu jo vetëm që s’e merr në mbrojtje të atin, por flet si demokrat i sinqertë. E dënon hapur për të gjitha krimet e tij. Këtë e kemi vërejtur në të gjitha intervistat që ka dhënë. Ndonjë dashakeq mund ta akuzojë se u interesua për eshtrat e M. Shehut. T’i bësh babait një varr është një detyrë familjare njerëzore; por kjo nuk do të thotë se ke mendime atërore. Bashkim Shehu, në një libër të tij, paraqitet aq i sinqertë, sa tregon edhe kundërvënien e një titullari që i tha: -“Ti kërkon eshtrat e babait, por është babai yt pikërisht ai që kishte dhënë urdhra që të mos jepen eshtrat e të ekzekutuarve”. Shkrimtari nuk e tjerr gjatë këtë dialog të shkurtër. Veçse, po të ishte i pranishëm aty një ish-i burgosur politik, që e ka njohur më mirë se ai titullari mendësinë demokratike të Bashkimit, mund të ndërhynte me këtë batutë: - Ti mendon se tani jemi në kohën e Stalinit?
Edvin Rama i del edhe sot në mbrojtje Kristaqit. Kryetari në detyrë i PS-së iu kundërvu një ish-të përndjekuri në një mbledhje në Nju-Jork, i cili i përmendi firmën e të atit në ekzekutimin e poetit Havzi Nela. Edi shtrembëroi turinjtë dhe i foli me përbuzje: - S’ke turp. Goxha burrë e merresh me gënjeshtra! Siç bëri edhe Ardian Klosi, në një panel të kohëve të fundit, në të cilin e nxiu fund e krye regjimin e mbretit Zog. Murat Basha i kujtoi vrasjen e gjyshit nga i ati, Bilbil Klosi: - Hë, more dhe ti, me gënjeshtrat e tua! – iu përgjigj i shfytyruar lektori i së keqes në bisedë. Duke përgënjeshtruar të vërtetën, mohuesin e krimeve të babait, mezi e mbante vendi dhe tundte kokën me përçmim! A. Klosi, - që është bashkëpunëtor me Ramën në “Refleskionet” dhe në pornot për Inën e tetëvjeçares, - duhet ta dijë më mirë se kushdo se çka ngjarë në Darmstadt për frenimin e ashpër të çdo nostalgjie për diktaturën e Hitlerit. Në vitin 1945 në atë vend të Gjermanisë së ré u morën vendime kategorike që diktatorit gjerman mos t’i përmendej as emri. Këtu janë mbështetur demokratët Hungarezë dhe ata polakë që ua përgjysmuan pensionet atyre që ishin përlyer në ndihmesën ndaj diktaturës. Nuk ka shumë javë që një mësues në Gjermani e pushuan nga puna, i akuzuar për simpati ndaj racizmit të mëparshëm gjerman. Ndërsa te ne, na japin leksione demokracie nostalgjikët e diktaturës!
Mbase tani për tani komuniteti evropian, - ku do të aderojmë édhe pa dashjen e atyre që kanë propaganduar me pashë për Enverin, për Nexhmijen dhe për Ramizin, - mbase nuk na e ka ngenë të merret edhe me shkeljen paturpësisht të Rezolutës së AP-së së KE-së; por shkaktarët e kësaj paturpësie do të përgjigjen, duan apo nuk duan ata!
E majta jonë e skajshme, me nostalgjitë enveriste, e mësuar me bojkote, po përçapet të bojkotojë edhe lustracionin, me ngecjet e saj antidemokratike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›