Kuqezinjtë besojnë në rezultat pozitiv

Kombëtarja shqiptare po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e 7 qershorit kundër Bosnjës dhe Hercegovinës, që do të zhvillohet në Zenicë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Të përzgjedhurit e selektorit Josip Kuze, kanë treguar sërish besim te vetja për ndeshjen e 7 qershorit. Edhe pse e vlerësojnë lartë kundërshtarin, janë optimistë në rezultat pozitiv.
“Do ta vlerësojmë kundërshtarin për atë që është. Bosnja nuk duhet nënvlerësuar, por edhe nuk duhet mbivlerësuar. Do ta bëjmë lojën tonë. Nëse do ta japim maksimumin, mund të fitojmë ndaj kujtdo”, theksoi mesfushori i klubit kroat Hajduk, Ervin Bulku.
Edhe mesfushori i klubit rumun Dinamo Bucuresti, Elis Bakaj, është optimist se kuqezinjtë do të kthehen me një rezultat pozitiv nga Zenica.
“Bosnja është një ndeshje shumë e vështirë dhe ata janë një ndër ekipet më të mira të Ballkanit, por ne e kemi treguar se nëse luajmë të bashkuar, do të arrijmë të marrim rezultate të mira. Kemi një formë të mirë, që e treguam në ndeshjen e fundit. Kam besimin se nga Bosnja do të kthehemi me një rezultat pozitiv”, u shpreh ish anëtari i Dinamos nga Tirana.
Në anën tjetër, mbrojtësi i klubit grek Aris, Kristi Vangjeli ka thënë se duhet dhënë maksimumin, nga minuta e parë në të fundit, dhe të luajnë kompakt sikur ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë.
Nëse luajnë me atë ritëm, Vangjeli beson se Shqipëria do të arrijë rezultat pozitiv përballë Bosnjës.
Ndeshja e 7 qershorit është shumë e rëndësishme për përfaqësuesen kuqezi, e cila pas rezultateve të deritanishme ka filluar të shpresojë në një kualifikim të mundshëm në kampionatin Evropian 2012.
Gjuri shqetëson Canën
Gjatë stërvitjeve të së mërkurës, Lorik Canën e ka shqetësuar gjuri i djathtë, të cilin e kishte lënduar gjatë kampionatin turk me Galatasarayn. Megjithëkëtë, stafi mjekësor i ekipit kuqezi beson se mesfushori kosovar do të jetë 100 për qind i gatshëm për sfidën me Bosnjën dhe Hercegovinën.
FIFA ia heq dënimin Bosnjës
Bosnje e Hercegovina mund ta vazhdojë lirshëm kampanjën e kualifikimeve për Euro 2012. Ngase, FIFA ka vendosur t’ia heq përfundimisht dënimin këtij vendi, pasi e përmbushi kërkesën e shtëpisë së futbollit botëror për ndryshimin e një statuti.
Federata e Futbollit të Bosnje e Hercegovinës ishte përjashtuar përkohësisht nga FIFA për shkak të presidencës së trefishtë, të përbërë nga myslimanët, kroatët e serbët, e cila më pas u shndërrua në një presidencë të vetme.
Kështu, boshnjakët do të jenë të gatshëm ta zhvillojnë ndeshjen e së shtunës kundër Rumanisë, dhe më pas të martën kundër Shqipërisë.