Ky eshte viti kur Shqiperia merr statusin

Antonio Cancian është një nga eurodeputetët e grupit të punës për Ballkanin në Parlamentin Europian që asistoi në takimin me ministren Majlinda Bregu. Në një intervistë për “ABC News” ai shprehet, se fryma politike konstruktive në Shqipëri tregon, se kjo është hera e duhur për vendin që të marri statusin e kandidatit.
Nga nëntori i shkuar, në Shqipëri është rikthyer dialogu politik midis forcave politike. Ju si shumë eurodeputetë jeni informuar me zhvillimet e fundit për reformat e integrimit. Ç’mendoni për to ?
Pata rastin të takoj ministren e integrimit në kuadrin e grupit të punës për Ballkanin në Parlamentin Europian. Ajo na njoftoi me të rejat më të fundit. Jam i lumtur që më në fund në Shqipëri po zhvillohet reforma elektorale dhe po ecet gjithashtu edhe mbi reformat e tjera. Them më në fund, pasi vizita jonë e fundit në Shqipëri apo e delegacionit parlamentar shqiptar në Bruksel nuk ka mundur të konkretizohet me hapat e dëshiruar. Kështu që unë shpreh kënaqësinë time për ndryshimin, pasi objektivi ynë është që i gjithë rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë të arrijë standartet europiane.
Kryetari i komisionit të punëve të jashtme Elmar Brok ka deklaruar, se duke qenë se këtë vit është hequr pengesa kryesore, që ishte mungesa e dialogut politik dhe parlamentar në Shqipëri, atëherë ka një arsye të fortë për marrjen e statusit të kandidatit. A e ndani këtë mendim ?
Po, krejtësisht. Kur ka dialog, objektivat arrihen. Herën e fundit që kam qenë në Shqipëri nuk kisha këtë përshtypje. Ishim ende në kohë furtune. Nga diskutimi që u zhvillua me ministren, jam i kënaqur dhe i bindur që kjo herë, është hera e duhur për të marrë statusin e kandidatit. Kjo edhe sepse përveç Kroacisë që do të bëhet anëtare, janë bërë hapa përpara edhe me Malin e Zi, por dhe me Serbinë. Pra, pak nga pak, ne po mbushim boshllëkun që ekziston midis shteteve anëtare nga njëra anë dhe bregut tjetër përtej detit Adriatik nga ana tjetër. Ky det mund të bëhet një simbol i një hapësire ujore ku të arrijmë qëllimet tona të një politike të përbashkët europiane.
Ju keni prekur një çështje që ka të bëjë me qasjen e Bashkimit Europian në Ballkan. A nuk do ishte mirë që BE-ja të tregonte që ajo ve në dispozicion për Shqipërinë të njëjtën energji që përdori për Malin e Zi dhe Serbinë ?
Sigurisht që po. Shqipëria është një nga shtetet që bën pjesë në Ballkan. Ne kemi qëllim që të integrojmë të gjithë rajonin e Ballkanit në BE dhe jo vetëm disa shtete. Gjatë të gjitha vizitave që kam kryer në Ballkan, unë kam insistuar shumë për të përçuar një mesazhi, që duhet llogjikuar në nivel rajonal, duhen krijuar lidhjet ekonomike, infrastrukturore, duhet luftuar së bashku për luftën kundër terrorrizmit dhe korrupsionit. Kërkohet bashkëpunim rajonal, pasi së bashku arrihet më shpejt objektivi i përbashkët, anëtarësimi në BE.