E Diel, 1 Nëntor 2026

Ky sistem, me maskë të çjerrë!

Le të kujtojmë se ç'pati thënë Jean Baudrillard vitin e kaluar në Stamboll gjatë konferencës me temë "Islami, Bota Latine, Moderniteti”, konferencë në të cilën merrnin pjesë Alan Touraine dhe Edgar Morin: "Në botën moderne pushteti është kthyer në hegjemoni dhe të gjitha vlerat janë përdhosur krejtësisht. Sot megjithëse rreshtohemi përbri sistemit, përsëri mbetemi peng i tij. Pamjet e dhunës dhe të pornografisë në burgun e Ebu Garibit ia kanë çjerrë maskën sistemit. Në botën moderne, me largimin e shpirtërores, ata që humbën na shfaqen artificialë. Sistemi u shndërrua në të kundërt; bashkë me veten po sjell edhe fundin e saj. Nuk mundet të largohet nga fati i paracaktuar që po e pret. Duhet të mendojmë këtë: Pse inteligjenca nuk ndodhet në pushtet? Mos vallë po shkojmë drejt një katastrofe abstrakte? Mos po na pret një bote ku të gjithë janë të lidhur me anë të fijeve me njëri-tjetrin? Zgjedhja e Bushit në Amerikë dhe e Schëarzeneggerit në Kaliforni tregojnë se loja është kthyer në pushtet.”
Janë të paktë ata që e kuptojnë se çfarë po ndodh. Shumica dërrmuese e elitave që kontrollojnë lëvizjet e pushtetit janë bashkëpunime të mbështetura mbi përfitime të ndërsjella të problemeve ekzistuese, të cilët mendojnë se këto probleme mund të kapërcehen me anë të një roli më aktiv të organizatave ndërkombëtare dhe me anë të politikave më inteligjente. Kjo është mënyra me anë të së cilës mundohen të qetësojnë popullin. Ndërkohë që ideja qendrore e Iluminizmit, projekti kryesor i tij është shembur. Tashmë asnjë individ nuk e ndjen më veten të sigurtë. Çdo ngjarje na çudit akoma më shumë dhe sigurisht që në të njëjtin raport shtohet edhe frika jonë. Shteti modern kishte marrë përsipër përgjegjësitë e çdo shtetasi të tij dhe do ta ruante atë nga të gjitha pasiguritë dhe do t'i mbronte nderin. Kur të aksidentohej, ose të plakej pasi kishte punuar, pa patur nevojë për mëshirën/lëmoshën e të tjerëve, shteti do ta mbështeste dhe do ta ushqente atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, d.m.th. me anë të sigurimeve sociale.
Vala e madhe globale e ka goditur rëndë këtë projekt qendror. Vçoria më e qartë e kësaj vale është se paqartësia që ndodh në fizikë dhe biologji e tregoi veten edhe në jetën shoqërore dhe humane. Shoqëria moderne është racionale, ekziston një "tru"i cili rregullon çdo detaj, nuk ka vend për surpriza. Ndërkohë që, nuk globalizohet vetëm kapitali, shërbimi dhe informacionet e thjeshta; në të njëjtën kohë edhe krimet, terrori, epidemitë dhe zhgënjimet nuk njohin kufi. Çdo ditë përballemi me surpriza të reja. Shteti komb nuk po e ruan dot idenë e tij të ekzistencës. Ka një fuqi të fshehtë që quhet treg. Projektuesi i parë këtë e pati cilësuar "dora e fshehtë”. Vetëm kapitali që qarkullon lirisht është 97 %. Kapitali me mbështetjen e fuqisë së tregut është në kërkim të fronteve me përfitime, nëse nuk i pëlqen fronti e braktis atë duke lënë pas miliona të papunë dhe njerëz të pashpresë duke u vënë në kërkim të fronteve të reja.
Kur shteti modern ndjehet i dobët në përmbushjen e përgjegjësive që ka marrë përsipër, ndjen një tronditje të autoritetit të tij. Me pakësimin e fuqive vihet në kërkim të instrumenteve për të përforcuar legjitimitetin e tij dhe ndërkohë "terrori"dhe "organizatat terroriste"u vijnë menjëherë në ndihmë. Terroristët nuk kanë nevojë për ushtri të disiplinuara e as për investime në armatime që kapin vlerën e miliarda dollarëve. Në një çantë shpine mund të mbahet një armë që mund të rrezikojë jetën e miliona njerëzve. Ndërsa terrori mundohet të plotësojë boshllëkun e krijuar, edhe shteti e pret këtë me gëzim duke përforcuar fuqitë e tij dhe duke iu drejtuar shtetasve të tij "mos u frikësoni, unë jam këtu, po luftoj terrorizmin; mos më shtrëngoni nga ana ligjore dhe me sigurimet sociale, më jepni përforcime nga ana e sigurisë kombëtare, kjo më mjafton"..... Kështu, pas 11 Shtatorit, shteti (shtetet) shpikën një legjitimitet të "ri"dhe "false"duke u marrë vetëm me përforcimin e fuqive luftarake. SHBA mundohen ta zgjerojnë këtë në të gjithë globin. Po i japim lamtumirën lirisë, sepse tani ndiejmë më shumë nevojë për siguri.
Në një botë në të cilën stabiliteti ka humbur, asnjë shtet dhe asnjë individ nuk mund ta ndiejë më veten të sigurtë. Në një botë ku nuk ekziston stabiliteti dhe siguria, ku lidhjet me të përshpirshtmen dhe të shenjtën janë të këputura, ajo që shembet është projekti qendror i sistemit, dija formuluese dhe ideja themelore e tij.

Përgatiti: Klodian SHEHI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›