L’Arena: Bogdani, i humbur në sulmin e Kievos ndaj Empolit

Albania-Sport - Është komentuar me nota mjaft negative ndeshja më e fundit e skuadrës së sulmuesit shqiptar, Erion Bogdani, Kievos, kundër Empolit, dhe këtu nuk ka bërë dallim as vlerësimi për golashënuesin e suksesshëm të Sienës sezonin e shkuar. "Një hap prapa, - e ka cilësuar barazimin pa gola të Kievos kundër Empolit, e përditshmja veroneze "L'Arena". - Kievo shpresonte të shtypte gazin për të ecur përpara, por, gabimisht ka futur marshin "indietro" dhe shkon kështu dëm një rast të volitshëm për të mbajtur larg "fantazmat" e zonës së ftohtë të rënies nga kategoria. Dhe kjo vjen në prag të turit të tmerrshëm, ku skuadrën veroneze e pret sfida me Lacion, Interin, Palermon, Torinon dhe Milanin; por ja që vjen një pikë e varfër me Empolin, që s'është një rastësi... Nuk shikon një aksion të pastër, gabime foshnjarake, pasime në shumicën e rasteve shumë të shkurtër ose shumë të gjata dhe asnjë synim për të shkuar te porta kundërshtare."
Me të njëjtat tone përshkruhet edhe loja e shtatlartit shqiptar të sulmit të skuadrës veroneze nga gazeta në fjalë, e cila shkruan: "Për më tepër se një gjysmë ore, luan më shumë Empoli, sesa Kievo, tek e cila nuk gjendet asnjë shenjë e Bogdanit. Mbresëlënës në atë debutim kundër Katanias, shqiptari luan me motor të fikur, ashtu sikundër e kishte filluar sezonin te Siena. E kërkojnë dhe nuk e gjejnë, pasi mbulohet më së miri nga Lukini, duke humbur veten në lojë. Dhe, duke qenë se topi i gjatë për të është skema e preferuar e lojës së Kievos, është e lehtë të kuptohet sesi merrnin fund aksionet e skuadrës veroneze..."