E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësorja U-21 Greqi-Shqipëri dhe frika nga e kaluara

Kombëtarja shqiptare e Shpresave do të zhvillojë më 6 shkurt ndeshjen e radhës miqësore kundër Greqisë, takim që do të luhet në vendin fqinj pasi ishin grekët ata që i bënë ftesën ekipit të drejtuar nga trajneri Artan Bushati. Deri këtu gjithcka është normale, por ajo që të bën më shumë përshtypje ka të bëjë me faktin se në cilin stadium do të luhet ky takim pasi edhe tifozi që e ka ndjekur qoftë edhe një herë të vetme kombëtaren U-21 i kujtohet më së miri grisja e flamurit tonë kombëtar në ndeshjen e përpara dy vitesh në Greqi. Gjithashtu nuk mund të fshihet lehtë nga mendja e asnjë sportëdashësi kuqezi fakti që në ndeshjen e 2001 midis ekipeve kombëtare A që grekët e "gjegdisën" në ishullin e largët të Kretës, tifozët e pranishëm në stadium dogjën një flamur shqiptar dhe ofenduan në kor futbollistët kuqezinj. Gjithashtu ka edhe shumë raste të tjera gjatë të cilave nacionalizmi grek ka kapërcyer cdo kufi dhe kulmi u arrit më 4 shtator 2004, ku pas fitores historike të Shqipërisë kundër fqinjëve që sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës, nacionalistët grekë goditën me thikë duke i shkaktuar vdekjen Grmoz Palushit, shqiptarit që po festonte fitoren e përfaqësueses. Ndërkohë që nuk duhen harruar edhe konfrontimet që kanë pasur futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatin grek me tifozët grekë, ku rastet më të spikatura i kanë ndodhur mesfushorit Edvin Murati dhe sulmuesit Alban Bushi. Të parin nuk e mbajtën më nervat gjatë një ndeshjeje të kampionatit fqinj ku gjatë të gjithë takimit u ofendua në kor dhe më pas i tregoi tifozëve grekë organet e tij seksuale. Ndërkohë që edhe sulmuesi Bushi është përfshirë në incidente të tilla, ku gjatë një ndeshjeje në stadiumin "Nikea Stadium" të Ionikosit u bë epiqendra e sharjeve dhe ofendimeve të nacionalistëve grek duke arritur deri aty sa tifozët tentuan të hynin në fushë dhe të godisnin sulmuesin shqiptar. Duke parë të gjitha këto ngjarje, edhe ndeshja Shqipëri-Greqi që do të zhvillohet midis përfaqësueseve të U-21 më 6 shkurt megjithëse është një miqësore nuk është e sigurtë që gjatë zhvillimit të saj nuk do të ndodhin ngjarje të tilla raciste. Ende nuk është përcaktuar stadiumi se ku do të luhet ky takim por mediat fqinje përflasin se ndeshja e 6 shkurtit do të zhvillohet në stadiumin e Ionikosit, pikërisht aty ku u tentua të "masakrohej" sulmuesi Bushi. Nëse autoritetet greke do të zyrtarizojnë atë stadium si vendin ku do të luhet takimi kundër Greqisë, atëherë ndeshja nuk mund të konsiderohet më si një miqësore duke parë nacionalizmin pa kufi që kanë tifozët e atij qyteti. Gjithsesi kudo që të zhvillohet, ndeshja mund të jetë miqësore vetëm brenda kuadratit të blertë të fushës pasi jashtë saj cdo gjë mund të ndodhë. Ndërkohë që për këtë ndeshje i është bërë sërish ftesë edhe talentit 16-vjecar, Sotir Nini, i cili aktivizohet me Panathinaikosin në kampionatin grek, por nuk dihet nëse fantazisti nga Himara do të pranojë të veshë fanellën kuqezi apo jo. Pas disa ditësh tekniku Bushati do të bëjë publike listën e futbollistëve që do të thërrasë për këtë takim miqësor.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›