Nesër mbyllet zyrtarisht merkato e dimrit, Kaos me dokumentat e futbollistëve në FSHF

Ka ndodhur ashtu sic e parashikoi shefi i Sektorit të Garave në Federatë, Hito Hitaj, i cili përpara disa ditësh ju bëri thirrje të gjitha klubeve që të nxitojnë në përgatitjen e dokumentacioneve për federimin e lojtarëve dhe të mos i lënë këto për dy ditët e fundit të afatit pasi nëse do të mungojë ndonjë dokument, atëherë nuk do të ketë më kohë dhe kjo do të dëmtojë si lojtarin ashtu edhe klubin që kërkon ta afrojë në ekip. Dhe pikërisht kështu ka ndodhur me Dinamon dhe Vllazninë, të cilat kanë shkuar dje në institucionin e futbollit për të federuar lojtarët që kanë afruar në ekip gjatë merakatos dimërore por nuk kanë arritur që të regjistrojnë asnjë futbollist pasi kishin mungesë në dokumentacion. Pasi janë konsultuar fillimisht me drejtuesit e "qeverisë" së futbollit dhe ju është bërë e ditur se dokumentacioni që zotërojnë nuk është i saktë, përfaqësuesit e këtyre klubeve janë kthyer mbrapa pa federuar asnjë lojtar. Një fakt të tillë e konfirmon zëdhënësi për shtyp i FSHF-së, Lysien Nurishmi, i cili deklaron: "Sot(dje) në Federatë kanë ardhur për të federuar lojtarët që kanë afruar gjatë merkatos së dimrit përfaqësues nga klubi i Vllaznisë dhe nga ai i Dinamos por mund të them se nuk kanë arritur të regjistrojnë asnjë futbollist. Kjo ka ndodhur pasi dokumentacioni që ju duhej ekipeve nuk ka qenë i plotë dhe kështu që nuk mund të federonin lojtarët. Duhet që klubet të cilat duan të regjistrojnë lojtarët të nxitojnë pasi koha është e pakët kur dihet tashmë që kanë mbetur edhe dy ditë kohë" përfundoi zëdhënësi Nurishmi. Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i merkatos së janarit, vetëm klubi i Apolonisë ka bërë një federim, portierin Zendeli që e ka marrë nga Maqedonia. Ndërkohë që të gjitha ekipet e tjera përvec atyre që kanë deklaruar nëpër media për blerjen e këtij apo atij lojtari nuk kanë federuar asnjë futbollist, veprim pa të cilin asnjë lojtar nuk mund të luajë në fushën e blertë. As Partizani, Tirana apo Elbasani që kanë reklamuar blerjet më të bujshme në kampionat nuk kanë regjistruar asnjë lojtar dhe mesa duket i kanë lënë për në ditët e fundit. Ashtu sic është bërë traditë, klubet shqiptare i lënë federimet për ditët e fundit dhe në ndonjë rast edhe mund të jetë toleruar, por tashmë Sektori i Garave është i vendosur për të mos toleruar asnjë rast. Përpara fillimit të merkatos dimërore vetë shefi i këtij sektori, Hito Hitaj deklaroi se të gjitha federimet do të bëhen me përpikmëri duke ju përmbajtur rreptësisht rregullores së aktivitetit dhe se nuk do të ketë asnjë tolerim që nuk i përmbahet rregullave apo afateve të përcaktuara. "Nuk do të ketë asnjë lloj tolerimi, qoftë për klubet qoftë për lojtarët nëse nuk zbatohet rregullorja e aktivitetit. Gjithashtu edhe afatet, të cilat janë të përcaktuara qartë do të zbatohen me rreptësi dhe të mos mendojë njeri se do të ketë ndonjë lëshim" deklaroi përpara hapjes së merkatos, shefi Hitaj. Sot dhe nesër janë dy ditët e fundit që kanë në dispozicion klubet shqiptare për të federuar lojtarët, por mesa duket nuk po kujtohen se një lojtar që të aktivizohet duhet që më parë të federohet në Federatë. Kujtojmë që të premten do të rinisë kampionati i Kategorisë Superiore pas një ndërprerjeje mëse një mujore.
Besar Bozgo