E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB: Jo bisedime politike pa përfshirjen e Kosovës Lindore

Lëvizja për Bashkim e ka shprehur edhe një herë qëndrimin e saj në favor të të dialogut politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, por ka kërkuar që në këtë dialog të përfshihet vetëm çështja e serbëve në tri komunat në veri të Kosovës dhe çështja e shqiptarëve në tri komunat e Kosovës Lindore.

Ditëve të fundit, pas situatës së re të krijuar në veriun e vendit, nga faktorë të ndryshëm është riaktualizuar ideja e bisedimeve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë çështje, Lëvizja për Bashkim konsideron se në mënyrë që ky dialog të sjellë zgjidhje për të dy popujt, është i domosdoshëm të përcaktohet drejt agjenda e tij.

Sipas kësaj lëvizjeje, kjo agjendë nuk duhet të përfshijë vetëm çështjen serbëve në tri komunat në veri të Kosovës, por edhe çështjen e shqiptarëve në tri komunat e Kosovës Lindore.

“Kusht që këto bisedime të sjellin zgjidhje të drejtë dhe të përhershme për këtë çështje është që të aplikohen standardet e njëjta për të dyja palët dhe të zbatohet parimi i reciprocitetit”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes për Bashkim.

Gjithashtu, Lëvizja për Bashkim konsideron se pjesë e agjendës së dialogut politik nuk mund të jetë edhe veriu i qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth, sepse kjo është çështje e spastrimit etnik të 12.000 shqiptarëve të dëbuar nga aty në vitin 2000, prandaj edhe duhet të trajtohet si e tillë, pra të punohet në kthimin e tyre.

Lëvizja për Bashkim i bën thirrje edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe tërë spektrit politik në Kosovë, që të mos frikësohen nga bisedimet politike me Serbinë, sepse rreziku për Kosovën nuk vjen nga këto bisedime, por nga agjenda e gabuar e tyre, që mund të jetë produkt i indiferencës së palës shqiptare në këtë drejtim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›