E Shtunë, 31 Tetor 2026

LB: Marrëveshjet për të mirën e Serbisë

Nga Express më 03 korrik 2011 në ora 21:15

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku konsideron se tri marrëveshjet e para të arritura mes Prishtinës dhe Beogradit përbëjnë mohim të shtetit të Kosovës e të interesit kombëtar të popullit shqiptar.

Kreu i kësaj lëvizjeje tha se marrëveshjet nuk do t’i njohin dhe nuk do t’i pranojnë, pasi ato nga të ashtuquajturat bisedime teknike po i japin frytet e para politike.

“Tanimë po shihet qartazi se këto bisedime nuk po zhvillohen për të mirën e qytetarëve të Kosovës, por vetëm për të mirën e Serbisë e të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Në këtë rast, Klinaku theksoi se askush nuk ka të drejtë të bëjë marrëveshje në kurriz të së djeshmes, të së sotmes dhe të së ardhmes së qytetarëve pa miratimin e tyre.

Ai tha se Lëvizja për Bashkim edhe njëherë konstaton se me Serbinë nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë bisedime teknike.

“Çfarë marrëveshje është ajo për regjistrat civil kur origjinalet e tyre vazhdojnë të mbeten në Beograd e kopjet në Kosovë?! Çfarë marrëveshje është ajo për diplomat universitare dhe shkollore në bazë të së cilës një palë e tretë ndërkombëtare vendosë për to?! Pastaj, pse duhet të diskutohet për diploma të nxënësve e të studentëve të Kosovës me Serbinë, e në të njëjtën kohë, Serbia të mos i njohë diplomat e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Çfarë marrëveshje për lëvizjen e lirë është ajo në bazë të së cilës Serbia nuk do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës”, thuhet ne reagimin e Klinakut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›