E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD “shkarkon” kryetarin e të rinjve

Nga Express më 05 janar 2011 në ora 14:21

Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, nëpërmes një komunikate, njoftoi sot se e liron nga detyra kryetarin e deritanishëm të saj, Vigan Syla.

Në të vërtetë, vetë Syla, u kishte dërguar më herët gjatë ditës një njoftim medieve, ku njoftonte se po u bashkohej kolegëve të tij, të cilët një ditë më herët kaluan në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Në mbledhjen e Kryesisë së FRLDD-së të mbajtur me datë 05.01.2011, pas shqyrtimi të aktualitetit politik dhe angazhimeve të FRLDD-së gjatë këtij procesi, unanimisht Kryesia e FRLDD-së vendosi që ta lirojë nga detyra kryetarin e deritanishëm të saj, Vigan Syla. Kryesia e FRLDD-së vendosi që të angazhohet fuqishëm në proceset e ardhshme të LDD-së”, thuhet në komunikatën shpërndarë medieve, sot pasdite.

Sipas FRLDD-së, nuk ka lëvizje të anëtarëve nëpër subjekte të tjera.

Syla, dorëheqje pas rezultateve zgjedhore

“Njoftoj opinionin e gjerë, anëtarësinë dhe simpatizantët e LDD-së se si rrjedhojë e rezultateve zgjedhore të 12 dhjetorit dhe zhvillimeve të brendshme në LDD, që nga zgjedhjet e deri më sot, në pajtim me shumicën e Kryesisë së Forumit Rinor dhe strukturave të Forumit Rinor nëpër degë, kam vendosur që të japë dorëheqje nga anëtarësia në LDD”, thuhet në njoftimin e Vigan Syla, kryetar i deritashëm i FR të LDD-së dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të LDD-së.

“Anëtarët e tjerë të Kryesisë do të deklarohen individualisht për përcaktimin e tyre të mëtutjeshëm politik”, ka theksuar Syla.

LDD: Në LDK kaluan disa individë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) për Prishtinën, Sharr Pllana, ka mohuar të mërkurën deklaratat e kryetarit të degëve të LDD-së në Prishtinë, Musli Mehaj, i cili ka thënë se degët e LDD-së në kryeqytet kanë kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pllana tha se nga dega e katërt e LDD-së ka kaluar një individ, kurse nga dega e tretë, tre apo katër individë.

“Konsiderojmë se deklarata e Musli Mehës është individuale dhe vetëm për qëllime përfitimi personal, si dhe nuk përfaqëson vullnetin politik të degëve të LDD-së”, tha Pllana, transmeton Telegrafi.

Në një konferencë për gazetarë ku ishin të pranishëm edhe kryetarët e pesë degëve të LDD-së, Pllana tha se LDD as që mendon të shuhet, përkundrazi ka një motiv më të madh për të punuar më tej.

Megjithatë, Pllana tha se nuk di cilët do të janë hapat në vazhdim të LDD-së.

Sipas tij, kjo i takon strukturave të larta të partisë të cilat nuk u paraqitën para gazetarëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›