E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD: Perspektiva e Kosovës në pikëpyetje

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Lulzim Zeneli, e akuzoi sot Qeverinë e Kosovës se me keqqeverisje dhe papërgjegjësi e ka sjellë në pikëpyetje fatin dhe perspektivën e Kosovës.

LDD vlerëson se zhvillimet politike në vend janë tejet brengosëse. “Joserioziteti dhe papërgjegjësia e skajshme ndaj kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të vendit, kanë bërë që qeverisja aktuale fatin dhe perspektivën e Kosovës ta vendosin në pikëpyetje”, tha Zeneli, sot në një konferencë për gazetarë.

Qeverisja PDK - LDK, sipas nënkryetarit Zeneli, Kosovën po e zhyt në krizë të thellë. “Paligjshmëria, korrupsioni dhe krimi ekonomik që sot identifikon pushtetin aktual, është emëruesi i përbashkët që mban stabil koalicionin PDK-LDK, e që nuk mund ta quajmë ndryshe, përpos qeverisje e zezë”.

Ndërsa mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, të paralajmëruara për 30 maj, LDD e cilëson si sulm dhe cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

“Mospërgjigjja dhe sjellja injorante e kësaj qeverisje tregon qartë se nuk është prioritet i këtij pushteti sovraniteti dhe shteti i Kosovës”, është shprehur Zeneli.

Ai e ka kritikuar Qeverinë se edhe pas katër muajsh pasi është promovuar Strategjia për Veriun, gjendja atje vazhdon të jetë e njëjtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›