E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDD e Anamoravës i bashkohet LDK-së

Në ditën e lindjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, LDD-ja e Anamoravës i bashkohet LDK-së, thuhet në një komunikatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Gjilan.

“Duke u nisur nga interesat politike dhe të përfaqësuara me dekada në kuadër të LDK-së si lëvizjes politike për Liri – Demokraci dhe Pavarësi; Duke qenë pjesë të kësaj lëvizjeje dhe embleme të LDK-së nga themelimi nën drejtimin e Liderit historik, dr. Ibrahim Rugova; Duke i përfaqësuar interesat e elektoratit të LDD-së dhe vullnetin e tyre politik për tu bashkuar dhe vepruar nën emblemën e LDK-së”, thuhet pos terash në këtë komunikatë, që është nënshkruar nga Lutfi Haziri kryetar i degës.

Sipas komunikatës këto dy parti, tashmë të shkrira në një synojnë; “objektivat më të larta demokratike në ndërtimin e Shtetit dhe forcimin e Pavarësisë së vendit; Duke u bazuar në vullnetin dhe rezultatet e Koalicionit për Qytetin e demokracisë të arritura në zgjedhjet komunale të 2009-së; Duke synuar që LDK-ja të jetë forcë e parë politike në Gjilan-Anamoravë dhe në Kosovë; Duke zgjedhur jo rastësisht dy dhjetorin si datë simbolike të unitetit, ditëlindjen e Liderit historik të LDK-së, Presitdentit Ibrahim Rugova”.

“Me këtë marrëveshje LDD-ja, strukturat drejtuese, forumet dhe nëndegët në Gjilan, nga sot, në emër të elektoratit të saj, merr vendim për t’u bashkuar dhe për të kaluar në formë politike dhe të organizuar në forumet politike dhe përfaqësuese të LDK-së në Gjilan”, thuhet në fund të komunikatës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›