E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Zgjidhja e menaxhimit të kufijve, në kuadër të Kushtetutës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se tema e menaxhimit të integruar të kufijve dhe ajo për bashkëpunimin rajonal që po shqyrtohen në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe se për këtë vendi ynë ka përkrahjen e BE-së dhe SHBA-ve.

Ndërkohë që rrethi i fundit i dialogut Kosovë - Serbi në Bruksel ende nuk është finalizuar me ndonjë marrëveshje konkrete, zëvendëskryeministri Kuçi ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e Kosovës se asnjë marrëveshje nuk do të arrihet jashtë Kushtetutës.

“Ne jemi në kontakt permanent me delegacionin tonë që është në Bruksel. Dje ka pasur takime të zgjatura natyrisht, sot do të vazhdojnë po ashtu. Ajo çka mund të themi është që dy temat kryesore që po diskutohen, menaxhimi i integruar i kufijve dhe çështjet e bashkëpunimit rajonal, Kosova kërkon që të bëhet zgjidhje në kuadër të Kushtetutës së Kosovës, në kuadër të mandatit që kemi nga Kuvendi i Kosovës dhe atë si shtet i pavarur dhe sovran dhe zgjidhjen me kriteret dhe standardet e BE-së, unë besoj që në këtë qëndrim jemi të përafërt edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve”, ka thënë Kuçi.

Sa i përket temës së bashkëpunimit rajonal, Kuçi ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t`i tejkalojnë mosmarrëveshjet që kanë ardhur si pasojë e së kaluarës dhe për hir të së ardhmes së përbashkët evropiane duhet të bashkëpunojnë pasi që i përkasin të njëjtit rajon.

“Rajoni ka nevojë për ndryshimin e logjikës së konfrontimit. Duhet ta kemi një logjikë të bashkëpunimit dhe dashtë e pa dashtë fati e ka dashur që ne të jemi në një rajon të përbashkët, pra edhe me ata që i kemi pasur armiq deri dje me të cilët kemi luftuar dhe e ardhmja e përbashkët Evropiane kërkon një bashkëpunim edhe në nivelin rajonal dhe neve nuk na pengon askush që të jetë prezent, por ne kemi nevojë që të kemi prezencë të barabartë”, ka thënë ai.

Ai, ndër të tjera, ka theksuar se Kosova pret që të jetë e përafërt me dialogun për liberalizimin e vizave, në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel janë duke vazhduar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për temat për të cilat po diskutojnë palët. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›