Thaçi e lavdëron kabinetin e tij qeveritar

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se mund të bëhet edhe më tepër, mirëpo ka vlerësuar punën e ministrave duke thënë se po dëshmohen çdo ditë me punën e tyre.
“Sa i përket Qeverisë, përsëri e theksoj, ky kabinet qeveritar është më i miri, më cilësori që ka pasur ndonjëherë Kosova në historinë e saj politike. Në këtë kabinet qeveritar kemi një gjeneratë të re, të njerëzve që qeverisin në Kosovë dhe të një mentaliteti të ri plotësisht perëndimor, modern, me vizionin për zhvillimin e Kosovës, për rend dhe ligj dhe për përspektivë evropiane. Natyrisht mund të bëhet edhe më tepër dhe çdo ditë e më shumë gjithë ministrat po dëshmohen me punën e tyre”, është shprehur Thaçi.
Ai ka thënë se secili ministër është duke kryer përgjegjësinë e vetë në bazë të autoritetit dhe përgjegjësisë që i ka besuar, dhe se do të vijë koha kur do të bëhet vlerësimi i gjithë punës së Qeverisë, por edhe ministrave përkatës.
Ndryshe, siç shkruan gazeta “Express”, ridizajnimi i Qeverisë së Kosovës pritet të ndodhë gjatë dhjetorit, ose në janar të vitit të ardhshëm dhe një prej njerëzve që do të largohet nga qeveria do ta jetë edhe zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili do të nisë përgatitjet për kandidaturën e tij për president të Kosovës (kosovapress)
I prek t’fortit
Hashim Thaçi pritet ta përmbyllë së shpejti procesin e ridizajnimit të Kabinetit të tij. Burime të Express thonë se do të lëvizen figura të rëndësishme të Qeverisë aktuale. Njëkohësisht, Behgjet Pacolli do ta shfrytëzojë këtë proces për ta lënë postin e Zëvendëskryeministrit dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet presidenciale.
Faton Ismajli
Hashim Thaçi pritet ta ridizajnojë së shpejti Qeverinë e tij.
Por, nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha.
Burime të Express thonë se brenda dhjetorit apo më së largu në janar, Kryeministri do të njoftojë për lëvizjet në Kabinetin qeveritar.
“Një, eventualisht dy ministra pritet të hiqen nga Qeveria. Njëkohësisht, nuk përjashtohet që disave t’u ndërrohen resorët”, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë në kushte anonimiteti për Express.
Sipas tij, ndryshimet mund të prekin disa ministra, të cilët konsiderohet se gëzojnë përkrahje të madhe në elektorat.
“Disa prej ministrave që mbajnë resorë të rëndësishëm kanë shfaqur komoditet të madh gjatë këtyre muajve. Po ashtu kanë bërë edhe disa lëvizje të gabueshme”, ka treguar burimi i gazetës, pa dashur të flasë për emrat e ministrave që pritet të ndërrohen apo atyre që pritet t’u ndërrohen resorët.
Sipas tij, për krejt këto ndryshime, Kryeministri është në konsultime me partnerët e tij në Qeveri dhe me faktorin ndërkombëtar në vend.
Burime të Express nga Aleanca Kosova e Re, partneri kryesor i PDK’së në Qeveri, kanë thënë se ndryshimet në Kabinetin Thaçi do të rezultojnë edhe me largimin e Behgjet Pacollit nga Qeveria.
“Ne presim që ta marrim hisen që na takon në këtë Qeveri. Ndërsa Lideri ynë, z. Pacolli, do ta shfrytëzojë këtë proces për ta lënë postin e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe për të nisur përgatitjet për zgjedhjet presidenciale”, ka thënë burimi i gazetës.
Aleanca Kosova e Re kërkon që ta marrë edhe një ministri plus. Por, burime nga kjo parti thonë se Behgjet Pacolli do të pranonte të mos e marrë këtë ministri, me kusht që të marrë një prej ministrive të mëdha që aktualisht udhëhiqen nga PDK.
Sido që të jetë, zyrtarisht as në PDK as në AKR nuk thonë asgjë për këtë proces që po shkon drejt përmbylljes.
“Nuk di”, ka thënë Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, kur është pyetur nga Express se kur do të ndodhin ndryshimet në Qeveri.
Ngjashëm është shprehur edhe Mimoza Kusari, Zëvendëspresidente e AKR’së.
Ajo nuk ka mundur të thotë asgjë as rreth largimit të Behgjet Pacollit nga Qeveria.
“Sa i përket tërheqjes ose mostërheqjes së z. Pacolli, aty nuk kam asgjë për të konfirmuar. Dihet se AKR mbështet fuqishëm kandidaturën e tij për President”, ka thënë Kusari për Express.
Ajo ka thënë se në momentin që do të dihen kushtet që kërkohen për kandidatin për President, duke përfshirë edhe nënshtetësinë, atëherë Pacolli do të dalë me një vendim.
“Tash në kuadër të ndryshimeve të ardhshme kushtetuese dhe ligjore, duhet të presim procedurat përfundimtare. Por, pasi të përfundojnë ndryshimet në kushtetutë dhe në ligj, mbetet të shihet se a do të jetë apo jo ai (Pacolli) dhe si do të shkojë procedura për garim”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, sa u përket ndryshimeve në Qeveri, Zëvendëskryeministrja Kusari ka thënë se AKR është duke pritur finalizimin e marrëveshjes.
“Kurxhë të konfirmuar nuk ka për arsye se, siç e dini, ende nuk janë përfunduar ndryshimet e parapara në kabinetin qeveritar”, ka shtuar ajo.
E pyetjes se kur do të ndodhin ndryshimet në Qeveri i përgjigjet Rrestem Mustafa, Nënkryetar i PDK’së.
“Për këtë vit jo, edhe s’ka nevojë, edhe s’pritet me pas ndryshime. Unë e shoh të panevojshme me pas ndryshime tani”, ka thënë Mustafa për Express.
“Për vitin tjetër nuk mund të parashohim asgjë”, ka shtuar ai.
Megjithëkëtë, zyrtarë të Qeverisë kanë përmendur mundësinë e reduktimit të posteve të dyfishta në Qeveri - si mundësi e mirë për të sistemuar zyrtarët e AKR’së.
Mimoza Kusari thotë se heqja e posteve të dyfishta në Qeveri nuk e përmbush marrëveshjen e koalicionit për shkak se zyrtarët që kanë postin e Ministrit dhe të Zëvendëskryeministrit paguhen vetëm për njërin post.
“Ne nuk po dëshirojmë të zgjerojmë Qeverinë, por po kërkojmë të zbatohet marrëveshja për t’iu ndarë AKR’së edhe një Ministri”, ka thënë Kusari.
Ndryshe, nënshkrimi i marrëveshjes për ndarjen e pushtetit mes Thaçit dhe Pacollit është bërë në shkurt të këtij viti dhe aty janë paraparë t’i ndahen AKR’së posti i Presidentit, plus një post Zëvendëskryeministri, tri poste ministrore dhe tre zëvendësministra.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që detyroi Liderin e AKR’së të lë postin e Shefit të Shtetit, Pacolli pati thënë se do të vazhdojë koalicionin me PDK’në me kusht që të merr plus edhe një post Zëvendëskryeministri, dy poste ministrore dhe tre zëvendësministra.
T: AKR: zgjedhjet për President, më 2012
Mimoza Kusari ka komentuar edhe deklarimet e zyrtarëve të PDK’së për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale bashkë me ato lokale dhe parlamentare, duke thënë se çdo zgjidhje që do ta përkrahë Partia e Behgjet Pacollit do të jetë në të mirë të qytetarëve.
Por, ka përsëritur se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen më 2012, ashtu siç janë marrë vesh Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli dhe Isa Mustafa.
“Natyrisht, kjo ka qenë edhe me rezolutë që është votuar në Kuvend”, ka thënë Kusari Lila.