Kandidatët për ambasadorë, intervistohen javën e ardhshme
Të përzgjedhurit e Qeverisë së Kosovës për ambasadorë të rinj të vendit pritet që javën e ardhshme të dalin përballë anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Amir Ahmeti nga Koalicioni për Kosovën e Re, anëtarë i këtij komisioni dhe i propozuar për ambasador në Riad, ka deklaruar për Express se asnjë kandidat deri më tani nuk është intervistuar, por ka lënë të hapur mundësinë që kjo të bëhet javën që vjen.
“Ju siguroj që gjatë kësaj jave nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim. Nuk e kemi intervistuar askënd, mirëpo jam i bindur që javën tjetër do të fillohet diçka në këtë drejtim”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka pranuar se Komisioni është vonuar me intervistat sepse përfundimi i konsolidimit të shërbimeve diplomatike është paralajmëruar të përfundojë në fund të këtij viti.
“Është e vërtetë, jemi vonuar në këtë drejtim, por puna do të përfundohet më së miri”, u shpreh Ahmeti.
Anëtari tjetër i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Skënder Hyseni, nuk ka pranuar të flasë për procedurat para dekretimit të shefave të rinj diplomatikë.
“Shikoni, unë jam një njëri i ligjit dhe baza ligjore në Kosovë për këtë punë më cenon të drejtën për të folur rreth procedurave të mëtutjeshme. Andaj, rezervohem të flas në lidhje me këto sepse edhe po t’i intervistonim kandidatët, nuk kemi drejtë të publikojmë asgjë”, tha Hyseni.
Në listën e të propozuarve për ambasadorë janë: Akan Ismaili, Ahmet Shala, Sylejman Selimi, Esat Brajshori, Skënder Xhakaliu, Ylber Hysa si dhe vetë anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Amir Ahmeti.
E pikërisht ky komision do të japë vlerësimin nëse kandidatët i përmbushin kriteret e parapara me ligj mbi shërbimet diplomatike.
Fjalën e fundit për emërimimin e ambasadorëve, sipas Kushtetutës së vendit, e ka Presidenti i Republikës.