Hoxhaj dënon sulmin ndaj ambasadës britanike në Teheran
Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj në emër të Qeverisë së Kosovës ka dënuar sulmin mbi ambasadën e Britanisë së Madhe në Teheran, duke thënë se akte të tilla janë të papranueshëm dhe në kundërshtim me praktikat dhe ligjet ndërkombëtare për rregullimin e marrëdhënieve mes shteteve.
Ministri Hoxhaj i ka dërguar një letër sekretarit të Jashtëm britanik Uilliam Heg, ku shpreh përkrahjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për Britaninë e Madhe.
“Qeveria e Kosovës i bashkohet qeverive demokratike, duke i bërë thirrje Qeverisë së Iranit që të respektojë detyrimet ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurohet funksionimi normal i përfaqësisë diplomatike të Mbretërisë së Bashkuar në Teheran”, thuhet në letër.
Demonstrues iranianë kanë sulmuar ambasadën e Britanisë në Iran, pas vendosjes së sanksioneve ndaj Iranit për shkak të programit kontrovers bërthamor. Britania ka urdhëruar largimin e të gjithë diplomatëve iranianë nga ambasada e Iranit në Londër, ndërkohë që ka tërhequr personelin e saj diplomatik nga Teherani.