E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini kërkon Botërorin 2022 në dimër

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka thënë se dëshiron të lëvizë garat e klubeve evropiane në mënyrë që Kampionatit botëror 2022 në Katar të zhvillohet gjatë dimrit.

Platini po ashtu konfirmoi se kishte votuar për Katarin si nikoqir të garës për vitin 2022 dhe theksoi se Botërori “është gjëja më e rëndësishme” dhe se do të kishte qenë më mirë që ai të zhvillohej në kushtet më të përshtatshme klimatike.

I pyetur nëse do të lëvizte garat si Liga e Kampionëve dhe Europa League, Platini tha për Al Jazeera: “Sigurisht. Nëse luajmë në dhjetor, nuk është problem të organizohemi. Si munden njerëzit të shkojnë në Katar në qershor, kur temperaturat janë 50 shkallë? Nëse njerëzit nuk mund të vijnë, atëherë nuk mund të jetë garë e mirë. Nëse luajmë në dimër, nuk do të jetë problem. Në vend se të përfundojmë sezonet në maj, do të luajmë deri në qershor, e pastaj ndalemi në dhjetor. Ku është problemi?”

Platini tregoi e kishte votuar Katarin për nikoqir të garës më 2022. “Kam votuar Katarin sepse mendoj se është mirë të shkojmë në një tjetër pjesë të botës, ku njerëzit kurrë nuk kanë parë një kampionat botëror. Mendoj se ishte vendim i mirë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›