E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesiq: Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën

Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 13:55

Nuk është e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën, mirëpo ajo nuk ka të drejtë ta pengojë që të tjerët të bashkëpunojnë më të, ka thënë ish-presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq, pas takimit që ka zhvilluar të martën me kryeministrin Hashim Thaçi.

Mesiq ka rikujtuar se Kosova ishte një element konstituiv i ish-federatës jugosllave dhe pasi që federata u shua, duhej që të përcaktohej edhe statusi i Kosovës. Prandaj sipas tij, Serbia mund të mos e njoh Kosovën, por jo ta pengojë atë që të bashkëpunojë me vendet e tjera.

“Serbia nuk është e domosdoshme që ta njoh Kosovën, mirëpo thjeshtë nuk ka të drejtë të drejtë që të pengojë që të tjerët të bashkëpunojnë me Kosovën”, ka theksuar ai.

Ish-presidenti Mesiq ka thënë se Kosova tanimë është një shtet i pavarur prandaj edhe dhe të gjithë duhet të bashkëpunojnë me të në kuadër të bashkëpunimeve regjionale.

“Kosova e bëri shpalljen e pavarësisë, tani ne duhet që ta zhvillojmë bashkëpunimin e regjionit tonë dhe këtu duhet të na ndihmojë Evropa dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, duke i marrë parasysh edhe duke i llogaritur edhe kombet e bashkuara. Prandaj në këtë regjionin tonë, ne edhe mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrit, në qoftë se ne bashkëpunojmë në mes njëri tjetrit”, ka potencuar ish presidenti kroat.

Megjithëse pavarësia e Kosovës ka kaluar nëpër shumë vështirësi dhe pengesa, sipas ish-presidentit Mesiq kjo tanimë është njohur nga 76 vende të botës, prandaj duhet të bëhet një bashkëpunim ekonomik, në mënyrë që populli i Kosovës të ketë një jetë sa më të mirë.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli, i cili e shoqëronte Mesiqin edhe në takimin me Thaçin, ka thënë Kosova ka fatin që ka për mysafir ish-presidentin, i cili e dha lajmin për shuarjen e Jugosllavisë dhe sipas tij ai do të mbetët një mik i madh i Shqiptarëve të Kosovës.

“Unë i dëshiroj mirëseardhje. Ta ndijë veten si në shtëpinë e vet. Dhe presidenti Mesiq mbetet gjithmonë mik i madh i Kosovës, mik i madh i shqiptarëve dhe gjithmonë vendin e ka në zemrat tona”, ka thënë Pacolli.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë dhe për nder të vizitës së tij do të mbahet edhe një forum ekonomik si dhe do të shpallet doktor nder nga universiteti Ri-Invest.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›