E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeparlamentari Krasniqi priti veteranët grevistë

Nga Express më 19 korrik 2011 në ora 16:35

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka pritur të martën kryesinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë hyrë në ditën e 58-të të grevës, përmes së cilës po kërkojnë miratimin e Ligjit për vlerate luftës së UÇK-së.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeparlamentarit Krasniqi, njoftohet se në takim është biseduar për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të kësaj kategorie të shoqërisë së Kosovës, si dhe për miratimin në afat sa më të shkurtër të Projektligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.

Veteranët e UÇK-së i kanë konfirmuar Krasniqit se kanë marrë premtimin nga Qeveria e Kosovës se Projektligji do të arrijë në Kuvend gjatë kësaj jave.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi i dëgjoi grevistët për brengat dhe shqetësimet e tyre, u shpreh se i vjen keq për qëndrimin kaq të gjatë nën tenda, për të drejtat e tyre më se të ligjshme. Ai i ka ftuar kryesinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së që ta ndërpresin grevën, duke iu premtuar se do të angazhohet për miratimin në kohë sa më të shkurtër të Projektligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.

Ndryshe, rreth 100 veteranë të luftës së UÇK-së kanë hyrë në ditën e 58-të të grevës, kur kërkesë e vetme e tyre është miratimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, por edhe pas marrjes së premtimeve nga kryeministri Hashim Thaçi, se Projektligji gjatë kësaj jave do të shkojë në Kuvend, ata janë shprehur të vendosur që ta vazhdojnë grevën deri në miratimin e ligjit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›