LDK Bujës: Mos premto si në fushatë parazgjedhore
“Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Z. Ramë Buja, si në fushatë parazgjedhore, sërish premtoi se do të hapë universitet në Gjilan.
Ky pohim i tij nuk paraqet asgjë të re. Z. Buja, që nga koha e fushatës zgjedhore, e ka ruajtur në diskursin e tij të folurit pompoz, duke e bombarduar përditë opinionin me deklarata të fryra, të cilat, në esencë, janë tërësisht joserioze”, shkruan LDK-ja në një komunikatë të saj.
LDK-ja këshillon ministrin Buja dhe MASHT-in që t’u bëjë studim serioz nevojave dhe kapaciteteve për universitete të reja.
“Një ministër që e ka shpallur cilësinë prioritet, logjikisht, duhej të tregonte pak sens politik e të mos dilte para qytetarëve me fjalë të mëdha, kur dihet se në çfarë gjendjeje është arsimi i vendit për shkak të udhëheqjes joprofesionale.
Prandaj, do të ishte e udhës që ministri Buja të ulej me drejtuesit e Arsimit në Gjilan, të cilët i ka të partisë së vet, dhe me mësimdhënësit e Gjilanit, për t’i analizuar shkaqet e rënies së vazhdueshme të cilësisë së arsimit”, thuhet në komunikatën e LDK-së, me këtë qasje të drejtuesve të MASHT-it nuk del që objektiv i vërtetë i tyre nuk është cilësia e arsimit.
“LDK-ja rithekson se drejtuesit e MASHT-it përfundimisht duhet ta braktisin retorikën e premtimeve (para)elektorale dhe t’i kthehen realitetit, i cili, fatkeqësisht, dëshmon mos përparim e degradim të cilësisë së arsimit në Kosovë, pikërisht për shkak të mungesës së dijes dhe profesionalizimit të këtyre drejtuesve”, përfundon komunikata e LDK-së.