S’pajtohen për hetimet

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka diskutuar të mërkurën në New York raportin më të ri të rregullt të Sekretarit të Përgjithshëm për situatën në Kosovë.
Siç ndodh zakonisht, shtetet anëtare janë shfaqur të ndara në vlerësimet e tyre për situatën në vend, derisa debati është dominuar nga çështja e Taskë Forcës e Bashkimit Europian, e cila po heton pohimet për tregti me organe në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, ka deklaruar edhe njëherë se EULEX’i është i paaftë edhe pa juridiksion për të kryer një hetim të tillë.
Por, ideja e Jeremic që këto hetime të kryhen në një mandat të Këshillit të Sigurimit, është përkrahur fort nga Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin.
Churkin është shprehur i kënaqur që kjo çështje është diskutuar në Këshill të Sigurimit, duke thënë se Prokurori Clint Willimson, që është në krye të Taskë Forcës, duhet përkrahur, por, sipas tij, kjo duhet të bëhet në kuadër të mandatit të Këshillit.
“Ne e dimë që z.Williamson është profesionist dhe specialist ...Ne duhet të krijojmë një mekanizëm qe është nën Këshillin e Sigurimit. Përndryshe, hetimi nuk do të jetë i besueshëm”, ka thënë Churkin.
Diplomati rus ka thënë se disa shtete janë në konflikt interesi me hetimin për tregtinë me organe.
“Aktualisht hetimin për involvimin e liderëve kosovarë janë duke e bërë ato shtete, të cilat në të kaluarën u kanë ndihmuar atyre njerëzve që të vijnë në pushtet në Kosovë”, ka thënë Churkin.
Përfaqësuesi rus ka përkrahur edhe një ide tjetër të kryediplomatit serb Vuk Jeremic, që shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit ta vizitojnë Kosovën gjatë vitit për ta parë situatën.
“M’u duk interesant ta vizitojmë Kosovën”, ka thënë Churkin.
E Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, para se ta bënte ftesën për këtë vizitë, ka bërë akuza në adresë të autoriteteve kosovare.
Jeremic ka cituar raporte ndërkombëtare, duke thënë se në Kosovë ka mungesë të demokracisë, derisa ka përmendur edhe të metat e sistemit të drejtësisë duke akuzuar edhe për çështjen e të drejtave të njeriut.
“Korrupsioni shumë i përhapur në Kosovë, përpjekjet për t’u marrë me korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk kanë dhënë efekt”, ka thënë Jeremic, derisa ka cituar raporte ndërkombëtare.
Ai më pas ka bërë thirrje që KS i OKB’së ta vizitojë Kosovë për të parë “një vend me gjemba, ku serbët janë të rrezikuar, së paku në disa pjesë”.
Ministri serb më pas është marrë me temën e njohjes duke thënë se Kosovën e kanë njohur vetëm 81 shtete, derisa u ka bërë thirrje shteteve që mos ta njohin pavarësinë.
Ndaj deklaratave të Jeremic ka reaguar Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se “gjërat që u thanë më parë nuk e pasqyrojnë realitetin”.
“ Është vetëm një përshkrim i një bote që nuk ekziston. Ata që e përshkruan kështu Kosovën nuk e kanë vizituar asnjëherë”, ka shtuar Hoxhaj.
Debati në KS të OKB’së ka prekur edhe temën e veriut dhe dialogun Kosovë –Serbi.
Shtetet përkrahëse të Kosovës si SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania i kanë dhënë përkrahje Taskë Forcës së BE’së që të kryejë hetimet rreth raportit të Martyt.
Ambasadorja amerikane në OKB, Rosemary Di Carlo, ka thënë se hetimet duhet të kryhen nën ombrellën e BE’së.
Ajo ka thënë se Uashingtoni mirëpret thirrjet e Tadic për heqjen e barrikadave në veri, por ka theksuar se refuzohen të gjitha veprimet që minojnë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial.
Përfaqësuesi gjerman ndërkaq ka dënuar çdo akt të dhunës kundër KFORI’it dhe EULEX’it...
“Thirrja e Jeremic për heqjen e barrikadave erdhi pak vonë, por më mirë vonë se kurrë”, ka thënë gjermani.
Përfaqësuesi gjerman dhe ai francez kanë thënë se ekipi i themeluar për hetimin e pohimeve të tregtisë me organe ka përkrahjen e këtyre shteteve.
Përfaqësues britanik, ndërkaq ka folur për dialogun, duke thënë se përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë janë të rëndësishme në rrugën e tyre drejt BE’së.
E Ministri Hoxhaj, në fjalimin e tij para anëtarëve, ka thënë se Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës
“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë afatshkurtra dhe afatgjata. Situata e “status-quo”-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë”, ka thënë ai.
“Marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”, ka shtuar Hoxhaj.