E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Miratimi Rezolutës së PDK-së, shkelje e Kushtetutës

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vlerësojnë se kryeministri Hashim Thaçi po bëhet gati që veriun ta bëjë temë të zgjidhjes politike ne negociata me Serbinë dhe se në negociatat e ardhshme që do të mund të ndodhin, do të negociohet në mes të Planit të Ahtisaarit dhe katër pikëshit të Boris Tadiqit, dhe që mesi sipas tyre do të jetë më keq se Plani i Ahtisaarit.

Në një konferencë për media Glauk Konjufca dhe Shpendi Ahmeti, përveç këtyre, kanë ripërsëritur se Kuvendi ka shkelur Kushtetutën kur ka miratuar rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentarë i PDK-së më 20 janar, meqë nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm.

Deputeti Glauk Konjufca duke përmendur mospranimin që gjithmonë i kanë bërë Planit të Ahtisaarit ka pohuar se ai plan po vazhdon të sjellë pasoja për vendin.

Konjufca ka thënë se kësaj radhe skena politike e Kosovës me kryeministrin në krye po bëhet gati për ta bërë veriun temë të zgjidhjes politike ne negociata me Serbinë dhe problem tjetër, sipas tyre është edhe përfaqësimi, që siç e quajnë ata nga njeriu që ka bërë pazare me vendin.

“Në procesin negociator të Vjenës u negociua në mes të Pavarësisë së Kosovës dhe autonomisë së Serbisë, me vet faktin që e hodhën pavarësinë në Pazar, rezultati ishte Plani i Ahtisaarit. Në negociatat e ardhshme që do të mund të ndodhin do të negociohet në mes të Planit të Ahtisaarit dhe katër pikëshit të Boris Tadiqit, dhe mesi do të jetë ma keq se plani i Ahtisaarit”, ka thënë ai.

Vetëvendosja ka përmendur edhe lëndën që kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mocionin e propozuar më 20 janar Grupi Parlamentar i PDK-së i cili ka kaluar, e që për ta, është antikushtetues meqë nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm kur është votuar për të.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka thënë se kjo është shkelja e tretë e Kushtetutës që bënë Kuvendi i Kosovës, pas asaj kur është zgjedh Behgjet Pacollin si president dhe asaj për imunitetin dhe privilegjet e deputetëve.

“Me këto marrëveshje që janë arritur në Bruksel janë prekur edhe çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve, po ashtu përmendet edhe traktati i Lisbonës që do të thotë se ne marrim obligime nga legjislacionet që nuk janë të Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës në pikën 1 thotë se këto janë marrëveshje të arritura në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, dhe e merr përsipër zbatimin e tyre që do të thotë kemi marrë obligime për ti zbatuar këto. Çfarëdo marrëveshje e tillë kërkon 2/3 e gjithë votave të deputetëve, pra që ky mocion të kalonte në mënyrë kushtetuese do të duheshin 80 vota të deputetëve gjë që rezoluta e PDK-së nuk i ka pasur dhe ne jemi të bindur se edhe Gjykata Kushtetuese do të vendos për këtë”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosja ka bërë të ditur se më 10 shkurt, në 5 vjetorin e rënies së Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, do të organizojnë aktivitete në shenjë kujtimi dhe nderimi për ta. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›