E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Deputetët e Gjilanit t`u kërkojnë falje grave të dhunuara gjatë luftës

Drejtues të LDK-së në Gjilan kanë kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Gjilani, të cilët kanë votuar kundër miratimit të projektligjit që njeh viktimat e luftës.

Valentina Bunjaku, kryetare e Forumit të grave të LDK-së në Gjilan, ka thënë se Salije Mustafa e Zenun Pajaziti duhet t`u kërkojnë falje grave të dhunuara.

“Deputetëve nga Komuna e Gjilanit, Zenun Pajaziti e Salihe Mustafa, që votuan kundër miratimit të projektligjit që njeh statusin e viktimave të dhunimeve gjatë luftës, ju bëjmë me dije se ju nuk duhet të guxoni të lëndoni jetën e asnjë gruaje, vajze apo motre në këtë vend, e aq më pak të atyre që janë viktima të luftës”, ka thënë Bunjaku.

Sipas saj, Forumi i Gruas i LDK-së, Dega në Gjilan, e dënon këtë gjest të këtyre deputetëve. Ajo ka thënë se posaçërisht janë habitur nga votimi i Salihe Mustafës, me profesion mjeke.

“Rastet e tyre janë raste të veçanta dhe duhet gjetur mënyra për përkrahjen e tyre, ngase kjo është e drejtë elementare e njeriut. Trajtimi i tyre duhet të bëhet konform konventave ndërkombëtare. Ne kërkojmë miratimin sa më të shpejt të këtij ligji, me qëllim të evidencimit të atyre femrave viktima dhe që në të ardhmen të kenë trajtim normal dhe integrim në jetë, derisa për votën kundër të dy deputeteve gjilanas e në veçanti një deputeteje femër ju mbetet në ndërgjegjen e tyre kërkimfalje si mjet i vetëm moral që ju ka mbetur”, ka thënë ajo.

Ndryshe Salije Mustafa, deputete e Kuvendit të Kosovës, e cila ka votuar kundër këtij projektligji, e kontaktuar nga gazeta, ka thënë se nuk ka asgjë kundër futjes në këtë projektligj të kategorisë së femrave të dhunuara nga lufta, por kërkon që mënyra e futjes së tyre të bëhet e qartë dhe në mënyrë të drejtë ngase mund të ketë keqpërdorime.

”Unë dhe as deputetët e tjerë të Kuvendit nuk kemi pasur qëllim të keq me rastin votimit kundër të këtij projektligji, sepse kemi kërkuar që të jepet më shumë kohë në kategorizimin e nënave në të dhe mënyrës së përfitimit, sepse ka lindur dyshimi që ai mund të keqpërdoret nga një pjesë e shoqërisë dhe në këtë mënyrë mund të dëmtohet buxheti i dedikuar për to”, ka thënë ajo./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›