E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK-u dështoi të zbulonte vrasësit e një qytetari

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka dështuar që të kryejë hetime efektive në rastin e zhdukjes së një personi në vitin 1999, ka konstatuar Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut nëpërmjet një mendimi.

Paneli që funksionon në kuadër të UNMIK-ut që nga viti 2006 i ka dhënë përgjigje një qytetari, babai i të cilit ishte vrarë dhe ishte zhdukur pak pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Ai ishte vrarë në shtëpinë e tij në Matiçan, shkruan sot “Koha Ditore”.

Paneli ka konstatuar se UNMIK-u kishte mandat për hetimin e këtij rasti në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Këtë nuk e ka bërë. Kësisoj ka rënë ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ankuesi, djali i viktimës - qytetar serb, ka theksuar se më 13 qershor 1999, për shkaqe sigurie, ai u detyrua të largohet nga shtëpia e tij në fshatin Matiçan, rajoni i Prishtinës, ku qëndruan prindërit e tij. Më 26 qershor 1999, babai i tij ishte zhdukur nga shtëpia. Ai ka theksuar se pas zhdukjes ishte informuar nga fqinjët shqiptarë se babai i tij ishte vrarë në pronën e tij dhe se ai mund të shkonte ta merrte trupin e tij, porse situata e sigurisë ia ka pamundësuar këtë. Kishte kërkuar përcjellje nga KFOR-i, mirëpo kishte hasur në refuzim. Më pas, ai ishte informuar se trupi i babait të tij ishte varrosur në një varr të pashënuar në varrezat e “Dragodanit” në Prishtinë.

Trupi i tij ishte zhvarrosur më 10 qershor 2000 nga varrezat e “Dragodanit”. Sipas certifikatës së vdekjes të lëshuar më 13 nëntor 2000, vdekja e M.A. ishte shkaktuar nga “tronditje e rëndë në kokë”.

Ankuesi është ankuar, siç ka pohuar, për “dështimin e UNMIK-ut që të hetojë si duhet zhdukjen dhe vdekjen e babait të tij”, duke u thirrur në shkelje të pjesës procedurale të nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai ka pohuar se ka shkelje për shkak të mungesës së një hetimi penal adekuat për zhdukjen dhe vdekjen e babait të tij. Ankuesi po ashtu ka thënë se nuk ishte informuar nëse ishte zbatuar ndonjë hetim dhe cili ishte rezultati i tij.

Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut i është përgjigjur edhe përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë. Dy argumente të PSSP-së janë refuzuar nga Paneli. Argumenti i parë kishte të bënte me mundësinë se mund të ishte zbatuar një hetim nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish -Jugosllavi (ICTY). Argumenti i dytë kishte të bënte me mundësinë që lëndimet vdekjeprurëse që i kishte marrë M.A. ishin të një natyre jopenale. Prandaj, PSSP-ja parashtroi që në mungesë të një kërkese për zbatim të hetimeve drejtuar autoriteteve nuk do të mund të kishte obligim “automatik” për të hetuar rrethanat e vdekjes, d.m.th. nuk do të paraqitej obligimi procedural sipas nenit 2 të KEDNJ. PSSP-ja gjithashtu theksoi se ishte normale që rastet e tilla sikurse ky i M.A. “nuk konsideroheshin prioritet”.

“Paneli e refuzoi këtë argument dhe theksoi se një natyrë e mundshme ‘aksidentale’ e traumës që shkaktoi vdekjen e M.A. nuk e shfajëson UNMIK-un nga përgjegjësia për të hetuar zhdukjen dhe vdekjen”, ka thënë Paneli.

PSSP-ja ka theksuar se policia ndërkombëtare e UNMIK-ut ishte e ngadalshme gjatë pozicionimit të saj dhe se kah mesi i shtatorit 1999, kishte vetëm rreth 1,100 zyrtarë policorë ndërkombëtarë në mbarë Kosovën dhe se një strukturë e plotë e policisë, duke përfshirë edhe sistemin e njësive për hetime penale në mbarë Kosovën, akoma nuk ishte themeluar. Kjo gjithashtu ishte sipas UNMIK-ut koha kur shkalla e kriminalitetit në Kosovë ishte në nivelin më të lartë dhe kur Policia e UNMIK-ut pranonte me qindra raporte të zhdukjeve dhe vrasjeve, që e vështirësoi sigurimin e përpjekjeve të nevojshme hetimore pa resurset e nevojshme.

Sa i përket këtij rasti, PSSP-ja ka argumentuar se ka pasur shumë pak dëshmi për Policinë e UNMIK-ut që të zbatojë një hetim për vdekjen e viktimës dhe se akoma ekzistojnë paqartësi nëse rasti u është raportuar autoriteteve. Për këtë arsye, rastet sikurse ai i M.A. nuk u konsideruan si prioritet.

Paneli ka vlerësuar se nuk ka arsye të dyshojë se UNMIK-u ka bërë të gjitha përpjekjet për të marrë dosjet e hetimeve relevante, mirëpo me gjithë kohën e mjaftueshme që i është dhënë për këtë qëllim (më shumë se dy vjet), Panelit nuk i janë prezantuar as dosjet, as ndonjë shpjegim i mundshëm për mungesën e tyre të plotë.

Paneli ka konsideruar se mungesa e dosjeve hetimore ngre çështjen e barrës së dëshmisë. Sipas gjykuesve të këtij rasti, detyrimi për zbatimin e një hetimi të tillë ekziston për të gjitha rastet e vrasjeve dhe vdekjeve të tjera të dyshimta, qofshin kryerësit persona privatë ose agjentë shtetërorë apo persona të panjohur.

Paneli ka marrë parasysh vështirësitë me të cilat është përballur UNMIK-u gjatë fazës së parë të vendosjes së tij, mirëpo thekson se dhënia e rëndësisë së duhur çështjes së personave të zhdukur në Kosovë nënkuptonte që UNMIK-u, duhej të merrte parasysh dimensionin humanitar dhe atë penal të situatës.

Në veçanti, Paneli konsideron se rëndësia që u është dhënë hetimeve penale dhe vështirësitë në Kosovë që kufizuan aftësitë e autoriteteve hetimore në zbatimin e hetimeve të tilla, siç është përshkruar nga PSSP-ja, ishin vendimtare që UNMIK-u nga fillimi të krijojë një ambient të favorshëm për kryerjen e hetimeve të kuptimshme.

“Duke shqyrtuar veçantitë e këtij rasti, Paneli bën me dije se ka pasur të meta të qarta në zbatimin e hetimeve nga fillimi, duke pasur parasysh se faza fillestare e një hetimi është i një rëndësie shumë të madhe”, thuhet në këtë opinion.

Përveç kësaj, Paneli konsideron se, meqë ata të cilët ishin përgjegjës për krimin nuk ishin gjetur, UNMIK-u ishte i obliguar të përdorte mjetet në dispozicion për të rishikuar rregullisht progresin e hetimit, për të siguruar që asgjë nuk ishte anashkaluar dhe se çfarëdo dëshmish të reja ishin marrë në konsideratë, si dhe të njoftonte të afërmit e M. A. lidhur me pista të reja të mundshme të hetimit.

“Duke marrë parasysh mungesat dhe të metat e përshkruara lart, Paneli konstaton se UNMIK-u dështoi në zbatimin e një hetimi adekuat dhe efektiv për zhdukjen dhe vdekjen e babait të ankuesit”, shkruan më tej.

Për këto arsye paneli unanimisht ka konstatuar se ka pasur shkelje të obligimit procedural sipas nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i ka rekomanduar UNMIK-ut që të nxisë EULEX-in dhe autoritetet e tjera kompetente në Kosovë që të ndërmarrin të gjithë hapat e mundshëm për të siguruar vazhdimin e hetimit penal për zhdukjen dhe vdekjen e babait të ankuesit.

Paneli po ashtu ka thënë se UNMIK-u duhet të pranojë publikisht përgjegjësinë për dështimin e tij në zbatimin e një hetimi efikas për zhdukjen dhe vdekjen e babait të ankuesit dhe t’i kërkojë falje publike ankuesit, të ndërmarrë hapat e duhur për pagimin e kompensimit adekuat ankuesit për dëmet morale, të ndërmarrë hapat e duhur në Kombet e Bashkuara si garantuese e mospërsëritjes dhe të ndërmarrë masa imediate dhe efektive për implementimin e rekomandimeve të panelit dhe të informojë ankuesin dhe Panelin për zhvillimet e mëtejshme në këtë rast. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›