LDK: MASHT i PDK-së nuk mund të padis askënd

Pas kërcënimeve të Ministrisë së Arsimit e cila ka paralajmëruar se do ta padisë LDK-në, për shpifje ndajë parregullsive ne testin e maturës, që pretendonte LDK-ja, ka reaguar kjo e fundit.
Sipas LDK-së, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e PDK-së po përpiqet që ta tërheqë vëmendjen nga parregullsitë e mëdha të procesit të testimit të maturantëve, kinse me paditjen e Forumit Rinor të LDK-së.
“MASHT-i i PDK-së nuk e di që nuk mund të bëjë padi për asgjë, meqë këtë nuk ia lejon normativa e re ligjore e Republikës së Kosovës. Për deklarimet e FR të LDK-së nuk ka bazë për asnjë kallëzim, meqë FR i LDK-së i ka bërë të njohura burimet e veta. Kallëzim duhet të bëhet për falsifikueset e reja, familjare të zyrtarëve të lartë të PDK-së”, thuhet në një reagim të LDK-së.
LDK-ja i bën thirrje përgjegjësve të procesit të Provimit të Shtetëror të Maturës, me në krye Nehat Mustafa, që t’i lexojnë ligjet, ndërsa nga organet përkatëse kërkon që t'i hetojnë shkeljet e vazhdueshme të këtij personi dhe të bashkëpunëtorëve të tij në këtë proces, në procesin e kundërligjshëm të blerjes së librave për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, të nënvizuar edhe në raportin e auditorit, si dhe në gjithë veprimtarinë e tij qëkur aty e kanë instaluar strukturat e PDK-së dhe ish-ministri Hoxhaj. /Indeksonline/