E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa librezë të PDK-së rrezikohet vendi i punës

Një zyrtar i komunës së Mitrovicës u befasua keq nga kolegia e tij, Teuta Rudi.

Kjo e fundit i kishte shkuar në zyre dhe i kishte kërkuar të bëhet anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës që udhëheq me pushtetin lokal në këtë komunë.

Ky zyrtar, që foli me kusht anonimiteti për Indeksonline, nuk e përkrahë programin e kësaj partie, por ishte detyruar të bëhet pjesë e këtij subjekti politik nga frika se po e largojnë nga puna.

“Nga zyra në zyra, Teuta Rudi dhe disa punonjës të tjerë kanë kërkuar nga ne që të nënshkruajmë për t’u anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Shumica nga ne kemi nënshkruar, pasi që me mos anëtarësimin në PDK na rrezikohet edhe vendi i punës”, ka thënë ky punonjës në Komunën e Mitrovicës me kusht që mos t’i zbulohet identiteti .

Ai tregon edhe një arsye tjetër që e shtyri të bëhet pjesë e PDK-së.

“Duke pasur parasysh që dikush nga ne mbanë familje me këtë rrogë, sigurisht që kemi nënshkruar. Jam prind, fëmijët duan që t’ua kryej disa obligime, kjo ka qenë arsyeja që më ka shtyrë të nënshkruaj, përndryshe nuk e përkrahi një gjë të tillë.”, ka thënë një punonjës i Komunës së Mitrovicës në kushte anonimiteti.

Teuta Rudi, zyrtare e protokollit në Komunën e Mitrovicës, ka pranuar se është angazhuar për t’i ndihmuar PDK-së në mbledhjen votave. Por, thotë se këtë punë e ka bërë nga vullneti i saj, dhe se nuk ka qenë e detyruar.

“Po është e vërtetë, këtë angazhim e kamë bërë me vullnetin tim nuk ka qenë obligative e kam bërë me vullnetin tim personal. Kam filluar këtë aktivitet ma herët, angazhimi është bërë pra edhe më herët, edhe po i kam ftuar të bëhen pjesë e PDK si punonjësve të Komunës ashtu edhe shoqërisë sime”, ka thënë Rudi.

Për një angazhim të tillë, sipas Rudit, në dijeni ka qenë edhe vet Kryetari i Komunës, Avni Kastrati.

“Po në fakt kryetari ka qenë në dijeni që shumica e të rinjve kanë shpreh dëshirë të anëtarësohen, dhe kjo ka qenë e mirëpritur edhe nga ana e tij”, ka theksuar Rudi për Indeksonline.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i komunës, Ahmet Jashari, mohon një gjë të tillë.
Sipas tij, zyrtarja e protokollit Teuta Rudi, është punëtore e re, dhe se nuk është marrë me çështje të tillë.

“Nuk është e vërtetë, Teuta Rudi është punëtore shumë e mire dhe ende nuk i ka mbushur një vit punë. Nuk është e vërtete që ajo ka ushtruar një aktivitet të tillë”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Megjithëkëtë, angazhime të tilla po zhvillohen edhe në komuna të tjera të Kosovës, porse në mënyrë më të mbyllur.

Punonjës të shumtë si në institucione publike po ashtu edhe private po shantazhohen të bëhen pjesë e ndonjë partie politike, ose në të kundërtën largohen nga vendi i punës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›