LDK: Mos theksimi i kufijve si shtetërorë, anti-kushtetues
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një deklarate për mediat ka shprehur qëndrimin ndaj marrëveshjes për menaxhimin e kufijve, e cila sipas kësaj partie është e papërcaktuar dhe e paqartë, ndërsa mos theksimi i kufijve të Kosovës si kufij shtetërorë është akt anti-kushtetues, i kundërligjshëm dhe dëmton interesat e Kosovës.
“Qeveria, që nga fillimi i negociatave me Serbinë, e ka ndihmuar këtë të fundit për të shkuar sa më parë drejt BE-së, ndërsa vazhdimisht ka dëmtuar interesat e Kosovës. LDK-ja, nga fillimi, e ka thënë se këto janë negociatat e Serbisë dhe bëhen për interesat e saj. Marrëveshjet e arritura deri më tani janë përshkuar me mungesë të plotë të transparencës nga ana e qeverisë dhe kanë prekur elemente të shtetësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
LDK vlerëson se deklarimet e palëve janë kontradiktore, ndërsa teksti i përcaktuar në përmbajtje, në planin e terminologjisë dhe në atë të zbatimit të saj.
Po ashtu, LDK konsideron se marrëveshjes i mungon dinamika dhe limitet e fillimit e të përmbylljes së saj dhe si e tillë, ajo vetëm sa i ndihmon Serbisë për të arritur qëllimet e veta dhe nuk garantohet me asgjë se kemi të bëjmë me menaxhimin e integruar të kufijve sipas parimeve të BE-së, pasi që ato parime vlejnë për shtet që njihen ndërsjellë dhe që dakordohen për të bashkëpunuar gjerësisht.
LDK-ja kërkon nga qeveria e Kosovës transparencë të plotë pۣër këtë dhe marrëveshjet e tjera ndërsa shton se ajo duhet t`i raportojë Kuvendit dhe të heqë dorë nga deklaratat e paqarta.
Në marrëveshjen e arritur më 2 dhjetor në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat marrëveshjen e kanë vlerësuar se është kundër vullnetit të qytetarëve dhe shkel Kushtetutën.