E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niset Veseli

Ish-shefi i SHIK’ut, Kadri Veseli, të premten nisi zyrtarisht jetën politike. Ai iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës në një tubim në qytetin e Mitrovicës. Në fjalimin e tij, Veseli shfaqi ambiciet e tij duke bërë premtime për ndryshime në vend. Zyrtarë të PDK’së mirëpritën angazhimin e tij duke i bërë dhuratë një Abetare.

Ish-Shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës në një tubim në Bair të Mitrovicës, që u zhvillua të premten.

Veselit iu dha libreza e anëtarësisë nga Dega e PDK’së e bashkë me të edhe një dhuratë.

Libri i nxënëseve të klasës së parë “Abetarja” mbështjellë në një zarf i ka pëlqyer anëtarit më të ri të PDK’së.

“...Jam fillestar...”, ka thënë ai.

Veseli u është drejtuar të pranishmëve, derisa paraprakisht ka kërkuar falje për gjendjen emocionale.

“Më falni se mund edhe të gaboj ndonjë fjalë...Sot para se me ardh këtu, thosha se me emocionet që i kam do të më bëjnë të gaboj e herë i shkrujsha disa fjalë e disa i mendojsha, por do të them disa fjalë dikund edhe do të lexoj, mos ma shihni për të madhe për arsye se kjo është një ditë e veçantë për mua, shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.

Më pas Veseli, i cili njihet si një njeri me ndikim, por që ka qëndruar jashtë politikës zyrtare, ka folur pak për të kaluarën.

“Në jetën time kam pasur fatin të ballafaqohem me shumë sfida ashtu si shumë prej jush dhe e vërtetë kjo e tanishmja, e sotshmja, por edhe e ardhmja do të jetë sfidë për mu, por ju them sinqerisht se asnjëherë nuk e kam pas parasysh veten time, kam menduar për të mirën e popullit tim e kjo është arsyeja pse unë sot jam këtu me familjen time, me fqinjët e mi, me Broboniqin tim, me njerëzit e mi”, ka thënë ai.

Veseli nuk ka treguar se cilat janë ambiciet e tij në politikë, por vetëm ka theksuar se është i gatshëm për të marrë përgjegjësi.

Por, ka theksuar se mund ta ndryshojë për të mirë jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Po filloj nga baza me premtim edhe besim të njeriu dhe Zoti se gjithmonë do të jem pranë saj. Jam i gatshëm për të marrë përgjegjësi për të bërë më të mirë jetën e qytetarëve të mi dhe për të bërë më të zhvilluar vendin tim. Politikë nuk është vetëm me fol, politikë janë politikat që do të prekin jetën tuaj, jetën e këtij vendi, edukimin, ekonominë, mirëqenien, shëndetësinë, gjithçka që do të na bëjë që të jemi krenarë kur nesër ta quajmë veten kosovarë...”.

Fjalimi i tij nuk ka përfunduar me kaq.

“Kam edhe dy gjëra. Kosova është europiane dhe ne duhet ta bëjmë këtë vend europian”, ishte e para.

Tema tjetër e tij ishte Mitrovica, vendlindja e tij.

“Mbasi jam në Mitrovicë, uroj të mos kem keqkuptim, por jemi në Mitrovicë dhe jemi qytetarë të këtij vendi, jo vetëm ne që jemi të Mitrovicës, po të gjithë shqiptarët janë të Mitrovicës. E duam tolerancën dhe respektin ndëretnik, por ndarja nuk është jeta jonë dhe ndarjen kurrë s’do ta pranojmë”, ka thënë ai.

Aderimi i Veselit është mirëpritur nga Kryesia e PDK’së, ndonëse kreu i saj Hashim Thaçi nuk ishte pranishëm në këtë ceremoni.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, i ka uruar mirëseardhje në parti Veselit, derisa ka kujtuar edhe kohën e luftës.

“Sot me kënaqësinë më të madhe erdha që të marr pjesë në aderimin e anëtarit më të ri në radhët e PDK-së, në nëndegën e Bairit, në degën e Mitrovicës, mikut dhe shokut tim, Kadri Veseli me të cilin kemi kaluar shumë momente edhe gjatë luftës, por edhe pas saj”, tha ai.

Fjalë të mira për Veseli tha edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.

“I dashur Kadri...”, tha Hamza në hyrje të fjalimit të tij.

“Unë ndihem krenar që jam anëtar i PDK’së, jam i sigurt që të gjithë anëtarët e PDK-së janë anëtarë të PDK’së, sot ardhja e Kadriut na e shton krenarinë”, ka thënë Hamza.

Ndërsa Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, e quajti gëzim të madh bashkimin e Veselit me PDK’në.

“Ne kemi sot një gëzim se në radhët tona të partisë po na bashkëngjitet edhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Kastrati.

Ndryshe, aderimi i Veselit ndodhi vetëm një ditë pasi PDK’ja filloi procesin e saj zgjedhor. Ky proces pritet që të përfundojë pas 45 ditëve, ndërkohë që ish-Shefi i SHIK’ut pritet të jetë në strukturat vendimmarrëse të partisë.

Veseli është njëri prej themeluesve të UÇK’së. Ai ka marrë pjesë në Delegacionin e Rambouillet, ndërkohë që pas luftës ka udhëhequr SHIK’un, aktivitetet e të cilit i kishte shpallur të përfunduara në qershor të 2008.

Disa parti politike në vazhdimësi kanë mohuar shuarjen e Shërbimit që kishte udhëhequr Veseli, duke kërkuar edhe hetim parlamentar për këtë organizatë.

Pavarësisht kësaj, të premten u tha se përfaqësuesit e pothuajse të gjitha partive politike në vend morën pjesë në ceremoninë e anëtarësimit të Veselit në PDK.

Këtë e la për të kuptuar i pari i Mitrovicës gjatë fjalimit të tij.

“Të nderuar përfaqësues të partive politike nga radhët e LDK’së, AKR”së AAK’së dhe PD dhe Partisë Demokratike Turke, përfaqësues të shoqërisë civile, të mediave dhe juve minatorë grevistë të Trepçës, ju faleminderit që keni ardhur!”, tha Kastrati.

Thaçi do të ftojë OSBE’në për vëzhgim

Një ditë pas fillimit të procesit zgjedhor në PDK, kreu i saj Hashim Thaçi ka njoftuar se do të ftojë Misionin e OSBE’së për vëzhgimin e tërë procesit. Këtë ai e bëri të ditur të premten gjatë një takimi me kryetarët e degëve partisë, të cilët i përgëzoi për fillimin e procesit zgjedhor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›