Lypin autonomi

Serbia do të kërkojë autonomi territoriale për Veriun e Kosovës në Bruksel gjatë takimit Thaçi – Dacic.
Sipas mediave serbe, temat që do të jenë në tryezën e bisedimeve në takimin e dytë të Kryeministrave janë financimi i institucioneve serbe në Kosovë, zbatimi i marrëveshjes IBM dhe trashëgimia kulturore.
Gazeta beogradase “Blic”, e cila thirret në burime, ka shkruar se Serbia do të insistojë që Veriu të marrë autonomi territoriale, ndërsa theksohet se IBM’i mund të fillojë të zbatohet gjatë dhjetorit, atëherë kur pritet që Këshilli i BE’së të vendosë që Serbisë t’ia japë datën e kushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Raundi i ri i bisedimeve Kosovë – Serbi, që do të mbahet më 7 nëntor, do të zhvillohet në nivel të Kryeministrave dhe do të fillojë me takime të ndara.
Sipas gazetës Bli,c pas takimeve të ndara zyrtarët në Bruksel do të synojnë të krijojnë një atmosferë të relaksuar në mënyrë që takimi i përbashkët të zhvillohet në formën e një darke pune.
Po ashtu bëhet e ditur se Brukseli aktualisht nuk është duke kërkuar që marrëveshja për IBM të zbatohet plotësisht, por të fillojë me dy pilot-projekte në pikëkalimet Konçul dhe në Merdarë
Platforma serbe parashikon që EULEX’i të ketë rolin ekzekutiv në raport me doganierët kosovarë dhe serbë që janë në këto pika.
E kur bëhet fjalë për financimin e institucioneve serbe në Kosovë, nga Beogradi kërkohet që të jetë transparent për qarkullimin e këtyre parave.
Sipas “Blic”, parimet bazë të platformës serbe për bisedimet Serbi – Kosovë, e cila duhet të përfundojë javën e ardhshme, janë statusi i komunitetit serb, konstatimi se nuk ka bisedime për pavarësinë e Kosovës dhe nevoja e integrimeve të Serbisë.
Po ashtu parashikohet që komuniteti serb në Kosovë të ketë rol më të madh në procesin e bisedimeve, që ka filluar në Bruksel.
Beogradi po ashtu me platformën e vet e bën të qartë se mënyra e zgjidhjes për Veriun varet edhe nga zgjidhjet e caktuara.