E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton disa projektstrategji

Kabineti qeveritar gjatë mbledhjes së mërkurës ka miratuar disa propozim vendime, ku kryesisht kanë pasur të bëjnë me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Njëra nga këto projekt-strategji ka qenë edhe ajo për menaxhimin e integruar të kufirit shtetëror.

Me të filluar mbledhja e Qeverisë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka shpalosur projekt-udhëzimin administrativ për funksionalizimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, e cila është miratuar.

Duke shpalosur Projekt-strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Shtetëror, ministri Rexhepi ka thënë se kjo strategji kombëtare është hartuar duke u bazuar në Ligjin për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.

Ai ka thënë se kjo strategji është e nevojshme, pasi që, siç ka thënë ai, është në pajtim me standardet ndërkombëtare.

“Kjo strategji ka për qëllim ndërtimin e mekanizmit të nevojshëm në pajtim me standardet ndërkombëtare për ruajtjen e kufirit shtetëror. Kjo strategji është vazhdimësi e strategjisë 2009-2012. Ajo është e ndarë në tri shtylla, bashkëpunimi brenda agjencisë, ndërmjet agjencive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, ka thënë Rexhepi.

Gjithashtu, është miratuar edhe Projekt-strategjia kombëtare kundër drogave për vitin 2012-2017 dhe planit të veprimit.

Sipas ministrit, Rexhepi kjo strategji ka për qëllim ndërtimin e mekanizmit me qëllim avancimin e luftës kundër drogave dhe dukurive negative, përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Edhe kjo është vazhdimësi e strategjisë së 2009-2012.

Po ashtu, është miratuar Projekt-strategjia kombëtare kundër terrorizmit për vitin 2012-2017.

Ministri i Punëve të Brendshme ka theksuar se kjo strategji ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit. Kjo strategji ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit në nivel vendi, por edhe ngritjen në nivel ndërkombëtar.

Gjithashtu është miratuar edhe Projekt-strategjia kombëtare kundër krimit të organizuar për vitin 2012-2017 dhe plani i veprimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›