Mesazhe nga Londra
Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka dërguar mesazhe nga Londra se e ka lëvizur nga qëndrimi i tij në raport me dialogun që pritet të nisë për Veriun. Ai ka kërkuar konsensus politik për bisedimet që do të ndodhin për pjesën më problematike të Kosovës.
Më herët, Mustafa është shprehur kundër dialogut politik për Veriun, duke thënë se gjithçka ka përfunduar në Vjenë më 2007, me negociatat Kosovë – Serbi.
Por, të mërkurën, Mustafa ka dërguar mesazhe të tjera pas takimit që ka pasur me diplomatët britanikë.
Ka përmendur bisedimet për Veriun dhe ka kërkuar konsensus politik.
“Kryetari Mustafa tha se bisedimet për Veriun duhet të mbështeten në një konsensus politik dhe që të sigurohet se nuk do të preket sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit”, citohet të ketë thënë Mustafa, në një komunikatë të LDK’së.
Kërkesa për dialog politik për Veriun e Kosovës kanë ardhur nga amerikanët dhe europianët, të cilët kanë thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet bashkërisht të gjejnë një zgjidhje për pjesën më problematike.
Megjithëkëtë, Lideri i LDK’së ka thënë se është i domosdoshëm dialogu mes institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve serbë në Veri.
“Ai (Isa Mustafa) theksoi domosdonë e shtrirjes së shtetit ligjor në të gjithë vendin, si dhe nevojën për dialog me qytetarët në Veri, për t’ua sqaruar atyre përfitimet që do të kenë nga shtrirja e shtetit ligjor edhe atje”, thuhet më tej në komunikatë.
Por, prej se është përmendur mundësia e një dialogu politik për Veriun, të gjithë zyrtarët e LDK’së kanë dalë kundër.
Madje, Mustafa ka thënë disa herë se nuk do të bëhen pjesë e asnjë grupi që do të merrej me zgjidhjen e problemit të Veriut, duke thënë se kjo është përgjegjësi e Qeverisë.
“Nuk do të përkrahim asnjë bisedë politike lidhur me kufijtë e Kosovës, apo pjesët dhe integritetin territorial të Kosovës. Ne konsiderojmë që këto biseda kanë përfunduar në Vjenë”, ka thënë Kryetari i LDK’së, disa herë në paraqitjet publike.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beiqiri ka interpretuar deklaratën e shefit të vet. Ka thënë se s’ka ndryshim të qëndrimeve sa i përket dialogut dhe Veriut.
“Është tentim për keqinterpretim të një pjese të deklaratës që e ka thënë kryetari Mustafa dhe absolutisht nuk është e vërtetë që LDK’ja ka ndryshuar qëndrimin rreth dialogut me Serbinë”, ka reaguar Beqiri.
Sipas tij, LDK’ja mbetet me qëndrimin e vjetër.
“LDK’ja është kundër bisedave për Veriun me Serbinë, por mbështet dialogun me qytetarët e asaj pjese që duhet të zhvillojnë institucionet e Kosovës dhe se LDK’ja nuk jep kurrë konsensus të tillë ku mund të vihet në pikëpyetje sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit”, ka thënë Beqiri.
Ndryshe, në cilësinë e Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa ka shkuar për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku është takuar me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ai është takuar me Drejtorin për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Mbretërisë së Bashkuar, Owen Jenkins, si dhe me David Lider, udhëheqës për Kosovën.
“Jenkins theksoi edhe një herë mbështetjen e shtetit të tij në këtë proces dhe e vlerësoi lart qëndrimin e LDK’së në këtë drejtim. Ai e vlerësoi rolin konstruktiv e shtetndërtues të LDK’së si parti e fuqishme opozitare”, thuhet në njoftimin e LDK’së.
Udhëheqësi i Prishtinës e i LDK’së, në Londër ka marrë edhe anëtarin e Kryesisë dhe Nënkryetarin e Prishtinës, Avdullah Hotin.
Sipas njoftimit, delegacionin e LDK’së e ka përcjellë Ambasadori Muhamet Hamiti.
Isa Mustafa ka thënë se pushtetet në Kosovë duhet të jenë të ndara, duke i bërë thirrje Qeverisë që të mos ndërhyjë në punën e Kuvendit dhe të institucioneve të drejtësisë.