LDK, VV dhe AKR kërkojnë ndryshimin e përbërjes së KQZ-së

AKR-ja dhe Vetëvendosje kërkojnë që përbërja e anëtarëve të KQZ-së të ndryshohet, transmeton KTV. Fadil Maloku i AKR-së ka deklaruar se Ligji për Zgjedhjet duhet përditësuar. Ai ka thënë se ndryshimet i kishte kërkuar qysh në vitin 2008.
Ndërsa, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkon që ky institucion të ketë numër të barabartë të përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Krasniqi shton se me përbërjen aktuale, shumë vendime shkojnë në favor të pushtetit, e në dëm të Komisionit dhe proceseve zgjedhore në përgjithësi.
Edhe partia tjetër opozitare, LDK, nëpërmjet përfaqësuesit të saj në KQZ-, Florian Dushi, kërkon që të ndryshojë përbërja. Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar partia në pushtet, PDK, që është e kënaqur me përbërjen aktuale të institucionit që organizon zgjedhjet. Aktualisht, pa llogaritur kryetaren, KQZ-ja ka 7 anëtarë nga pozita dhe 3 nga opozita./Indeksonline/