E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Zhvillime jonormale në Ministrinë e Kulturës

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 18:17

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, prapë është kritikuar të mërkurën nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas kësaj partie, Krasniqi tashmë është i njohur për veprimet e tij të papërgjegjshme, për politizimin e skajshëm të ministrisë, për vendime të paligjshme dhe shpërdorime të të gjitha natyrave, si dhe për mashtrim të opinionit dhe institucionet e kulturës se do ta rrisë buxhetin për këto institucione.

Përmes një komunikate LDK konsideron se tani është e qartë se çdo gjë ka qenë vetëm një premtim bosh, “si çdo gjë që thonë njerëzit e një qeverie joparimore dhe të papërgjegjshme, çfarë është kjo e Kosovës”.

“Ministria e Kulturës nuk ka marrë buxhet më të lartë, siç premtoi Krasniqi, buxheti i institucioneve të kulturës, siç ka raportuar LDK-ja në paraqitjet e rregullta publike, është përgjysmuar, ndërsa tani mësohet se përfundimisht se këto institucione nuk do të kenë asnjë cent shtesë, gjë që do të pamundësojë përmbushjen e veprimtarive të përcaktuara nga institucionet”, vlerëson LDK.

Partia më e madhe opozitare, LDK konstaton edhe një herë se ekipi i PDK-së i instaluar në Ministrinë e Kulturës çdo ditë e më tepër po shkel çdo parim, po dëmton institucionet dhe njerëzit e kulturës.

“LDK-ja edhe një herë tërheq vëmendjen për zhvillimet jonormale në këtë Ministri dhe në të gjitha institucionet e saj. LDK-ja mban si përgjegjës për të gjitha parregullsitë, shkeljet dhe veprimet jonormale kryeministrin Thaçi, sepse ai ka instaluar njerëzit e tillë në këtë dikaster dhe nëpërmjet tyre edhe në institucionet e kulturës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›