Dritoni e Ylli marrin çmim në Pogradec
Të hënën është mbyllur edicioni i parë i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe i Kulinarisë, i cili u mbajt në qytetin e Pogradecit, për një javë rresht. Në mesin e filmave të regjisorëve ballkanikë, ky festival mundësoi njohjen edhe të traditës së gatimit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, jo si zakonisht, këtë herë nderoi pjesëmarrësit me një pjatë të punuar në mënyrë artizanale, që bartte edhe çmimin e mirënjohjes për të gjithë pjesëmarrësit. Ceremonia u zhvillua në kinemanë e qytetit. Filmi më i Mirë i Festivalit u zgjodh filmi grek “Aromë nga Kostandinopoja” i regjisorit Tasos Boulmetis, Çmimi i Jurisë i shkoi filmit kroat “Një natë e bukur në Split” me regji të Arsen Ostojiç, Çmimi Special shkoi për filmin me metrazh të shkurtër “Trenat” (Pavel Vesnakov), dokumentari më i mirë u vlerësua realizimi serb “Kinema komuniste” i regjisores Mila Turajliç, Filmi më i Mirë i Shkurtër u vlerësua “Si qeni në rrush” me skenar të Driton Hajredinit dhe regji të Driton Hajredinit dhe Yll Citakut.
Filmi “Si qeni në rrush” i regjisorit Hajredini, i cili kohët e fundit ka vjelë disa çmime, trajton temën mbi luftën, përballjen me vdekjen dhe zgjedhjet që duhet të bëhen. Kjo temë vjen me lojën e një treshe aktorësh, të cilët jemi mësuar t’i shohim ndryshe.
Komikët “Stupcat” vijnë në një format tjetër, duke pasqyruar herë komiken e herë tragjiken, nëpërmjet tre piktorëve që vihen në një situatë ku njëri prej tyre duhet të vdes. I vendosur gjatë luftës së fundit në Kosovë, filmi trajton brutalitetin e luftës, me tone absurditeti por edhe humori. Tre piktorët vendosin të shkojnë në fshat për të bërë aheng dhe rrugës ndalohen nga një postbllok i policisë serbe. Njëri nga ta duhet të vdes, por në përballje me vdekjen, dëshira për të jetuar është më e madhe se kurrë, dhe atë që nuk mund ta bëjnë vet, ia lënë shortit për të zgjedhur.
Festivali i Pogradecit ndau edhe çmime dhe mirënjohje tjera për bashkëpunëtorët, ndërkohë që edhe çmimi i Kulinarisë nuk mbeti pa zot. Këtë edicion i takoi qytetit të Pogradecit. Të gjithë pjesëmarrësit, patën mundësi të shijojnë ushqimin tradicional të vendeve pjesëmarrëse në festival.
Njëri nga ideatorët e këtij festivali, regjisori Eno Milkani, tha se ky edicion i parë i festivalit ia arriti qëllimit. “Ky edicion ia arriti qëllimit: të bëjë bashkë disa artistë nga Ballkani, të prezantojë kinemanë e këtij vendi dhe të na japë mundësi të kalojmë kohë e të njohim njëri-tjetrin”, theksoi regjisori Milkani.
Në festival u prezantuan filma me metrazh të gjatë dhe me metrazh të shkurtër nga Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Greqia, Serbia, Bullgaria, Shqipëria, Kosova etj. Secili shtet pjesëmarrës ka sjellë filma dhe dokumentarë që trajtonin problemet e Ballkanit, dhe konfliktet e tij ndër shekuj.