E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK do t’i kthehet reformës zgjedhore

(E plotësuar) Pas takimit gati tri orësh me liderët e tjerë politik, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa tha se do të ketë edhe takime të tjera për t'i zgjidhur çështjet e mbetura pezull në reformën zgjedhore, siç janë listat e votimit, zonat zgjedhore si dhe përzgjedhja e anëtarëve të KQZ’së. Për këto çështje liderët nuk kanë arritur të gjejnë pajtim as gjatë ditës së hënë.

“Unë mendoj që do të takohemi brenda një kohe të shkurtër pas përafrimit të qëndrimeve... Dhe me ketë të punojë komisioni për reformë zgjedhore në mënyrë që çështja të shkojë në kuvend”, tha Mustafa.

LDK ishte ajo e cila më 20 shtator të këtij viti kishte dalë nga Komisioni parlamentar për reforma zgjedhore duke krijuar bllokadë në procesin e reformimit të ligjit zgjedhor. Kjo në shenjë revolte për mos-zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit e arritur në prillin e vitit të kaluar, për çështjen e Presidentes.

Mustafa të hënën ndërkaq mohoi të ketë pasur bllokadë ndonjëherë. Ai tha se LDK nuk ka bllokuar asgjë.

“Komisioni ka përfunduar mbi 85 për qind të punës në vjeshtë dhe kanë mbetur këto çështje që nuk janë zgjidhur atëherë dhe tani po bëjmë përpjekje të gjithë që të bëjmë zgjidhje që zgjedhjet e ardhshme të jenë ta bazuara në ligjin e ri që të kemi sa më pak probleme me zgjedhjet”, tha Mustafa.

Fillon takimi për reformën zgjedhore, i pranishëm edhe Kurti

Me ftesë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është duke u mbajtur takimi i liderëve të partive politike, ku po diskutohet për reformën zgjedhore.

Për dallim nga herat tjera, përveç Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Blerim Shalës, pjesë e tryezës është edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Sipas sekretarit për media te Vetevendosjes, Erzen Vraniqi, Kurti po merr pjese ne këtë takim me ftesë të Isa Mustafës.

"Me herët nuk kemi shkuar pasi nuk jemi ftuar. Ndërsa, kësaj radhe kemi marr ftesë nga Isa Mustafa, prandaj edhe Albin Kurti është pjesëmarrës i këtij takimi", tha Vraniqi.

Reforma zgjedhore mbledh liderët

Me ftesë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pritet që gjatë ditës së sotme të mbahet një takim, ku do të diskutohet reforma zgjedhore e cila ka mbetur e bllokuar prej disa muajsh.

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi thotë se së pari Komisioni për reformë zgjedhore është i obliguar të bëjë një raport për Kuvendin, gjë që nuk e ka bërë ende, ndërsa se si do të dilet nga kjo situatë është çështje e liderëve të partive politike.

Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të hënën, është marr vendim që një seancë të mbahet më 12 dhjetor në ora 10:00, ku me një fjalim vjetor presidentja, Atifete Jahjaga do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Po ashtu në këtë ditë do të mbahet edhe një seancë tjetër duke filluar nga ora 12:00, ku do të raportoj kryeministri i vendit, Hashim Thaçi para deputetëve për raundin e fundit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i legjislativit, Krasniqi i pyetur për reformën zgjedhore, ka thënë se Komisioni Ad-hoc për amandamentimin e kushtetutës e ka kryer punën e vet, amandamentet kanë qenë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese ka kthyer mendimin, i cili mendim dihet cili është dhe tash po ndodh bllokimi jo vetëm të atij komisioni, por edhe të komisionit për reformë zgjedhore.

Krasniqi ka theksuar se ky komisioni është dashur t’i raportoj Kuvendit të Kosovës, ndërsa daljen nga kjo situatë duhet ta gjejnë liderët.

“Ne presim që ta bënë këtë raport. Është i obliguar pa marr parasysh cili është qëndrimi i krerëve të partive politike ata do të duhej të njoftonin kuvendin dhe ata deri më tani nuk e kanë bërë. Kjo është gjendja se si do të zgjidhet. Kjo është çështje politike dhe është çështje e liderëve të partive politike të përfaqësuara në kuvend”, ka theksuar Krasniqi.

Por për të dal nga kjo situatë kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thirrur në një takim liderët e partive politike. Kjo është konfirmuar nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Sot është një takim i thirrur nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës zotëri Mustafa. Një takim i liderëve të partive politike së bashku me Quintin gjegjësisht ambasadorët e pesë shteteve që përbëjnë Quintin do të jetë në 14 e 30 takimi. Pikërisht tema do të jetë reforma zgjedhore, sigurisht më tepër nuk kam çfarë të them është një krijuar një rregull ose ka filluar të praktikohet që takimet e tilla njëherë t’i thirr opozita pastaj pozita ndoshta me tentuar me gjetë rrugëzgjidhje për tejkalimin e situatës por për të ecur përpara reforma zgjedhore”, ka theksuar Beqiri.

Për më tepër, ai ka shtuar se janë tri probleme të pazgjidhura që kanë mbet, siç është çështja e zonave zgjedhore, çështja e listave të hapur apo e mbyllur dhe çështja e përbërjes së KQZ-së dhe mënyra e themelimit.

Beqiri ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës diku 70 deri në 80 % të punës në reformën zgjedhore e ka kryer në komision, ndërkaq kanë mbetur edhe këto çështje të cilat, sipas tij, nëse nuk gjendet rrugëzgjidhje duhet të ndryshuar edhe kushtetuta, pasi që janë kategori kushtetuese.

Në lidhje me amandamentet kushtetuese për presidenten, Beqiri ka thënë se LDK e ka qëndrimin e qartë sa i përket pjesës që ka të bëjë me reformën kushtetuese që lidhet edhe me çështjen e presidentes në këtë rast.

Sipas tij, ai ka thënë se duhet të respektohet marrëveshja dhe rezoluta e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë në lidhje për raportet e institucioneve të vendit dhe misionit të EULEX-it pas publikimit të përgjimeve, Krasniqi nuk ka dashur të flas për këtë çështje, duke thënë se kjo pyetje duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse.

“Këtë mendoj që duhet të ja drejtoni institucioneve përkatëse. Ju e dini që bashkëpunimi i EULEX-it me Qeverinë kanë kompetenca të përbashkëta në fusha të caktuara dhe përgjigjet në këtë pyetje duhet t’i kërkoni atje”, ka theksuar ai.

Ndërkohë as Ismet Beqiri nuk ka dashur të flas për këtë, por ka thënë se EULEX-i e ka mandatin nga Kuvendi dhe vazhdon të mbetet këtu.

“Po unë mund të flas që ka të bëjë me Kuvendin. Ju e dini që ne jemi parti opozitare dhe punën tonë e bëjmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkaq për raportet e tjera janë kompetent ata që i përfaqësojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe është mirë ata t’i pyesni. Sa i përket këtyre raporteve është shumë e qartë që EULEX-i e ka një mandat të përcaktuar me vendim, rezolutë të Kuvendit të Kosovës dhe si i tillë vazhdon të mbetet këtu, ndërsa relacionet me institucionet e tjera duhet t’i pyesni ata që i përfaqësojnë institucionet tona”, ka deklaruar ai.

Seanca e rregullt e punës do të mbahet më 13 dhjetor, ku në rend të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i Ligjit për buxhetin 2013 dhe disa ligje të tjera në lexim të dytë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›