E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK e shpërfill kërkesën e Mustafës

Kërkesa e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, drejtuar LDK-së për rishikimin e koalicionit me PDK-në vazhdon të jetë jashtë agjendës së kryesisë së LDK-së, anëtarët e së cilës thonë se një kërkesë e tillë nuk ka krijuar mëdyshje, porse në kryesi ka unitet të plotë.

Të premten nuk është mbledhur kryesia e partisë në mbledhjen që ishte paralajmëruar, por është zhvilluar vetëm takimi me kryetarët e degëve, në të cilin është folur për përgatitjet për zgjedhjet në LDK, por jo edhe për kërkesën e Isa Mustafës.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, ka vlerësuar se nuk po injorohet kërkesa e Mustafës.

“Mustafa nuk është risi për atë që e ka thënë dhe po tentohet të krijohet diçka thua se është thënë tash. Z. Mustafa i ka thënë këto qëndrime vazhdimisht dhe e mban qëndrimin e tillë dhe për çdo gjë kompetente, sigurisht edhe pas mendimeve të ndryshme që mund të shfaqen është kryesia e LDK-së të vendosë. Por asnjëherë të duket që kjo është në kundërshtim me mendimin ose qëndrimet edhe të personalitetit siç është zoti Mustafa”, ka thënë Beqiri.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, ka theksuar se nuk ka kurrfarë lëvizjesh në stabilitetin e koalicionit qeverisës.

Zyrtarët e LDK-së vlerësojnë besojnë se jo vetëm që nuk do të ketë çarje të reja në LDK, por madje do të ketë rigjenerim të saj dhe këtë ata e presin nga zgjedhjet e përgjithshme në LDK që do të mbahen në vjeshtë, përderisa zgjedhjet në Forumin e Gruas do të fillojnë nga 15 maji deri më 15 qershor.

Analistët vlerësojnë se deklaratat e vazhdueshme të kreut të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa për prishjen e koalicionit, janë pikërisht në kuadër të përpjekjes së tij për ngritje brenda partisë. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›