E Diel, 1 Nëntor 2026

LDK i bën thirrje Jahjagës të japë dorëheqje

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i bëjnë thirrje presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të jap dorëheqje nga posti i saj në mënyrë që t’u hapë rrugën reformave kushtetuese e zgjedhore në vend.

Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Christopher Dell.

Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.

Megjithatë, gjatë korrikut të sivjetmë, Gjykata Kushtetuese e konsideroi anti-kushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesë vjeçar.

Tani, rrugëdalja nga kjo gjendje, sipas deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për reformën kushtetuese, është që Jahjaga të jap dorëheqje.

“Presidentja vet e ka dhënë fjalën në fjalimin e saj inaugurues se në momentin kur të përgatiten ndryshimet kushtetuese ajo do të tërhiqet. Është evidente që një gjë e tillë nuk i ndalohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, prandaj ne presim nga ajo që të lëshojë rrugë dhe të njëjtën kohë të jap shembull edhe për liderët e tjerë që ta respektojnë marrëveshjen dhe të tregojnë që morali dhe politika të shkojnë bashkë dhe në anën tjetër të tregohet se kur jepet fjala publike ajo duhet të respektohet”, thotë Osmani për Evropën Lirë.

Nëse Jahjaga nuk ofron dorëheqjen, kurse partitë e koalicionit qeverisës nuk e zbatojnë marrëveshjen, atëherë LDK-ja, si kundërpërgjigje, nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe as reformën zgjedhore, thotë deputetja Osmani.

“Ne natyrisht që nuk kemi arsye t’i votojmë amendamentet kushtetuese sepse ato amendamente kanë të bëjnë me zgjerimin, fuqizimin e kompetencave të presidentit dhe ato janë paraparë vetëm për një president të zgjedhur drejtpërdrejtë. Pra, LDK-ja nuk ka interes që t’i fuqizojë kompetencat e presidentes aktuale, mirëpo mendon që është në interes të vendit që të ketë zgjedhje të drejtpërdrejta për president nga ana e popullit”, thekson Osmani.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›