LDK-ja nuk përkrahë nismën e AAK-së

Edhe tri ditë i kanë mbetur AAK-së për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese lëndën me pretendimin se presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, shkeli Kushtetutën kur votoi për qeverinë, pak minuta pasi kishte dhënë betimin si shef i shtetit.
Kjo nismë e AAK-së ende nuk e ka gjetur përkrahjen e partive opozitare, të cilat po presin nga Gjykata Kushtetuese shqyrtimin e lëndës së parë, me të cilën është kontestuar mënyra e zgjedhjes së Pacollit në krye të shtetit. Kërkesën e parë drejtuar Gjykatës Kushtetuese e ka bërë LDK-ja me mbështetje të deputetëve të AAK-së, ndërsa kërkesa tjetër që po përgatitet të dorëzohet është iniciuar nga AAK-ja.
Por, kjo parti tani duket se nuk po gjen përkrahje në LDK. Iniciuesit e nismës për ta dërguar lëndën e dytë të Pacollit në gjykatën më të lartë në Kosovë ende nuk i kanë siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme.
Në nenin 45 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese specifikohen afatet kohore për të proceduar një shkelje të pretenduar nga ana e Presidentit. Më 22 mars bëhen një muaj nga zgjedhja e Pacollit. Megjithëkëtë, Isufi thotë se ende nuk janë kordinuar me partitë e tjera, por presin edhe përkrahjen e tyre.
Deputeti i "Vetëvendosjes", Florin Krasniqi ka thënë se Grupi Parlamentar i këtij subjekti ende nuk ka qëndrim rreth nismës së AAK-së. Por, zëdhënësi i “Vetëvendosjes”, Erzen Vraniqi ka thënë se vendimin për ta përkrahur ose jo lëndën e dytë të Pacollit do ta marrin pasi ta shohin përmbajtjen e kërkesës së AAK-së.