Zbulohet axhenda e vizitës së presidentit Pacolli në Tiranë

Zbardhet axhenda dy ditore e vizitës së presidentit të Kosovës Behxhet Pacolli në Tiranë. Në vizitën e tij të parë pas marrjes së detyrës së kreut të shtetit kosovar, Pacolli do të takohet ditën e hënë në orën 11:30 me homologun e tij shqiptar Bamir Topi në Pallatin e Brigadave.
Pas takimit kokë më kokë mes dy presidentëve, në orën 12:40 do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Kreu i shtetit kosovar do të zhvillojë një takim në orën 13:10 me kryeministrin Sali Berisha dhe më pas do të takohet edhe me kryeparlamentaren Jozefina Topalli.
Gjithashtu presidenti i Kosovës Pacolli do të mbajë një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Pacolli gjithashtu do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës Edi Rama ku kreut të shtetit kosovar do t`i dhurohet në shenjë simbolike edhe çelësi i kryeqytetit.
Ndërsa në ditën e dytë të vizitës së tij në Shqipëri presidenti kosovar Pacolli do të takohet edhe me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe me kreun e LSI-së Ilir Meta.
Gjithashtu Pacolli do të vendosë edhe kurorë me lule për nder të të rënëve në Monumentin "Nënë Shqipëri" ndërsa më vonë ai do të niset drejt qytetit të Krujës ku do të vizitojë Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Etnografik dhe Pazarin e Vjetër.
Pacolli gjithashtu do të vizitojë edhe qytetin e Lezhës ku do të vendosë kurorë me lule në varrin e heroit tonë kombëtar `Skënderbeu”.
Në një ceremoni të veçantë te kreut të shtetit kosovar Pacolli do t`i jepet çmimi "Honoris Causa" nga Universitetit Evropian të Tiranës , ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti Topi.