E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK mbetet e vendosur në rolin e saj opozitar në Mitrovicë

LDK e Mitrovicës përmes një komunikate për media të lëshuar të martën, ka bërë të ditur se kjo parti në takimin e rregullt të kryesisë dhe me përfaqësuesit e nëndegëve i ka dhënë mbështetje të fuqishme grupit parlamentar të saj në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, për veprimet e ndërmarra në seancën e fundit të Asamblesë së Mitrovicës, të mbajtur më 31 maj 2012.

Sipas kësaj komunikate, në këtë seancë ku mungonin kryetari, dy nënkryetarët, kryesuesi dhe një pjesë e ekzekutivit, për çka kërkesa e grupit parlamentar të LDK-së në Asamblenë e Mitrovicës ishte që pikat e rendit të ditës, të cilat në tërësi nuk ishin të natyrës emergjente, të shtyhen për një datë tjetër, gjë që nuk u aprovua dhe rezultoi me braktisjen e seancës nga ana e këshilltarëve të saj.

“LDK-ja vlerëson se qasja e grupit parlamentar është e drejtë dhe se është rrjedhojë e injorimit të vazhdueshëm në të gjitha seancat e Asamblesë të mbajtura gjerë më tani, shkeljeve të vazhdueshme të legjislacionit dhe të rregulloreve përgjatë seancave, keqpërdorimeve, keqmenaxhimit financiar, keqmenaxhimit të pronës dhe pasurisë komunale, mungesës së transparencës, politizimin e sistemit arsimor, duke përfshirë nepotizmin dhe shkeljen e institucionit të konkursit, si dhe administratës jo efikase e politike. LDK-ja angazhohet për respektimin dhe zbatimin e ligjeve, si dhe përfaqësim të denjë të interesave të qytetarëve mitrovicas në Asamble dhe institucionet komunale”, thuhet në fund të komunikatës./A.Damati/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›