LDK nuk mbështet AAK-në për lëndën e dytë ndaj Pacollit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e partive të tjera opozitare për ngritjen e një lënde të re në Gjykatën Kushtetuese ndaj presidentit Behxhet Pacolli. Bëhet fjalë për votën që Pacolli i ka dhënë qeverisë së re të Kosovës pasi ishte zgjedhur në postin e presidentit.
Ky veprim, sipas AAK-së paraqet shkelje kushtetuese pasi presidentit nuk i lejohet të ushtrojë poste të dyfishta publike. Për të ngritur këtë padi në Gjykatën Kushtetuese, AAK-së i duhen 30 nënshkrime të deputetëve.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka deklaruar se nisma e Aleancës nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme, ndersa të martën më 22 mars është afati i fundit për dorëzimin e lëndës në Gjykatë.
Pritjet e AAK-së kanë qenë të orientuara kryesisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës nga e cila ka kërkuar mbështetje dhe nënshkrimet e deputetëve të saj.