LDK partia e parë antikomuniste në Ballakn
Kryeministrit Berisha i ka dërguar një letër përshëndetëse Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të kësaj partie, z. Berisha, në emër edhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, thekson se "Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua nga Presidenti Rugova dhe elita intelektuale shqiptare e Kosovës, si partia e parë antikomuniste në Ballkan, si forca e parë politike opozitare, e vendosur kundër regjimit barbar të Millosheviçit". "Partia e interesit kombëtar të shqiptarëve, Lidhja Demokratike e Kosovës, nën udhëheqjen e njërit prej personaliteteve më të mëdha në historinë tonë kombëtare, burrit të madh të kombit tonë, Ibrahim Rugova, do të udhëhiqte në kushtet e terrorit, të dhunës dhe shtypjes së hekurt themelimin e shtetit të shqiptarëve, si dhe do të organizonte rezistencën paqësore, më të pashembulltën në Europë, ndaj okupatorit e do të promovonte çështjen e drejtë të Kosovës në Europë dhe në mbarë botën", thuhet në letrën përshëndetëse të Kryeministrit Berisha. Kryeministri Berisha vlerëson se pas çlirimit të Kosovës, "Lidhja Demokratike e Kosovës, në koalicion me forca të tjera politike, do të jepte një kontribut historik në rindërtimin e vendit dhe në shpalljen e pavarësisë së saj". Sipas tij, sot, Lidhja Demokratike e Kosovës është ndër forcat kryesore të qeverisjes në Kosovë, që kontribuon për konsolidimin e shtetit ligjor, në shërbim të paqes e të stabilitetit në Kosovën e pavarur.