LDK përshëndet arrestimin e punonjësit të Ramadan Mujës

Veprimi i djeshëm i Njësiti rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prizren, për arrestimin e zyrtarit të zyrës së prokurimit, sipas LDK-së, është reaksion normal i konstatimit të Grupit të Ekspertëve, se kjo zyre pa e respektuar asnjë kriter dhe në shpërfillje të ligjeve të prokurimit i ka ndarë mjetet në emër të dhuratave për vitin e ri për zyrtarët komunal.
Pas reagimit të LDK-së, zyrtarët komunal u munduan ta hedhin poshtë vërtetësinë e vlerësimit të LDK-së, por sot Institucioni i Drejtësisë po e fakton germë për germë atë që e ka thënë LDK-ja.
“Me datë 28.12.2012 zyra e prokurimit pat shpallur tenderin “Furnizim me artikuj ushqimor të anëtarëve të Kuvendit dhe shërbyesve civil të administratës komunale të Komunës së Prizrenit ”, i cili sipas ligjeve në fuqi ishte i hapur deri më datën 08.01.2013 . Administrata dhe vetë Ramadan Muja furnizimet me gjëra ushqimore i bënë kryesisht në natën e vitit të ri, në Qendrën tregtare “Benaf “. Zyra e prokurimit publikon njoftimin me datë 21.01.2013 për dhënien e tenderit kompanisë më të lirë, e cila del të jetë kompania e njëjtë ku edhe janë bërë paraprakisht furnizimet!”, thuhet në komunikatën për media të LDK-së në Prizren.
Paradoksi, i bërë publik nga LDK-ja, ishte se në dokumentet e lëshuara nga vetë zyra e prokurimit është se data e dhënies së kontratës është 21.01.2013, data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës është data 31.01.2013. Vlera e kontratës sipas vet dokumentit zyrtar të publikuar nga zyra e prokurimit saktësisht kap shumën prej 43,600.00 € .
Grupi i ekspertëve të LDK-së vlerëson se dhënia e këtij tenderi dëshmon për mënyrën e dhënies së tenderëve në Komunën e Prizrenit. Në kundërshtim më të gjitha ligjet në fuqi, Komuna e Prizrenit i përcakton vetë fituesit e pastaj formalisht i shpall tenderët .
Grupi i ekspertëve të LDK-së kërkon nga Organet e drejtësisë që t’i japin fund praktikave të këtilla të shkeljes së ligjit, duke i vënë para përgjegjësisë ata që e kanë shkelur ligjin./Indeksonline/