E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK vë në pikëpyetje votën e saj në rishikimin e buxhetit

Nëse në fillim të vitit kur është bërë miratimi i buxhetit, për Qeverinë ka qenë më lehtë ngase LDK-ja ka lëshuar pe para kushtëzimit të miratimit të buxhetit me procedimin e Projektligjit të Prishtinës, tani në rishikimin e buxhetit duket se nuk do ta ketë të lehtë. Grupi Parlamentar i LDK-së kësaj radhe ka paralajmëruar se do ta vërë në pikëpyetje votën e vetë për buxhetin, nëse nuk merret parasysh kërkesa për procedimin e Projektligji të Prishtinës.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë publik shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, duke e quajtur zvarritjen e deritashme si papërgjegjësi të Qeverisë së Kosovës.

“Nuk ka asnjë arsye valide të mjaftueshme që e pengon të vijë projektligji në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Thjesht, mungon vullneti i Qeverisë dhe thënë më së buti kjo është papërgjegjësi”, ka thënë Beqiri, transmeton Kosovapress.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që përmes një shkrese t’i drejtohet Qeverisë dhe kërkojë procedimin e menjëhershëm të këtij projektligji.

“Ligji nuk ka ardhur në Kuvend dhe ne si Kuvend do të kërkojmë nga Qeveria që ta sjellë edhe këtë ligj edhe ligjet tjera që parashihen edhe në raportin e progresit, dhe shpresoj që kur Qeveria t’i kryejë obligimet e veta, do të vijë në Kuvend dhe Kuvendi do ta miratojë”, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Sidoqoftë, LDK-ja kësaj radhe duket të jetë më serioze në kushtëzimin e saj për këtë projektligj, ngase zyrtarët e saj mendojnë se problemi kryesor nuk qëndron tek kryeparlamentari, i cili sipas tyre, ka vullnet që të bëhet procedimi i tij, por vullneti i mungon Qeverisë në këtë rast.

Për këtë këmbëngulje të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se do të binden të gjithë në rast se Qeveria nuk e plotëson kërkesën.

“Mendoj që asnjë arsyetim nuk do të qëndrojë, nëse kjo nuk bëhet dhe e vetmja që mund të thuhet pastaj është ajo që këtu dikë po e pengon të bëhet Ligji për Prishtinën. E kush është ai? Unë mendoj që kryetari i Kuvendit e ka vullnetin, por adresa është në Qeveri dhe sinqerisht e them ne si Grup Parlamentar i LDK-së do ta shqyrtojmë çështjen e Projektligjit të buxhetit në mënyrë serioze dhe e vëmë në pikëpyetje votën tonë nëse nuk procedohet Projektligji për Prishtinën”, ka thënë Beqiri.

Arsyetimi se projektligji është bllokuar për shkak të granteve qeveritare dhe për Pallatin e Rinisë, sipas Beqirit nuk janë të qëndrueshme, sepse Prishtina, sipas tij, i meriton jo 4 po 40 milionë euro grante, kurse Pallati i Rinisë është i ndërtuar me djersën dhe vetëkontributin e qytetarëve të Prishtinës.

Këto dy probleme, Beqiri ka thënë se janë qesharake, ndërkohë që ka theksuar se është pikërisht zëvendëskryeministri ai që ka deklaruar publikisht në Kuvendin e Kosovës së janë tejkaluar problemet dhe se projektligji mund të procedohet në Kuvend.

Para shtatë muajsh, Lidhja Demokratike e Kosovës me rastin e miratimit të buxhetit, pati kushtëzuar votën e saj me procedimin e Projektligjit për Prishtinën. Atë kohë kishte lëshuar pe, siç kanë thënë zyrtarët e saj, për interesa shtetërore, por kësaj radhe ata duket se do të jenë në anën e interesave të qytetarëve të Prishtinës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›