Porti i Durrësit shndërrohet në portë të hapur arti
Autoriteti Portual Durrës ka hapur për herë të parë dyert për publikun duke u shndërruar në një portë të artit, ekonomisë dhe integrimit. Një natë e bardhë në port, mes muzikës, artit figurativ, dancit dhe ndryshimit të kushteve atmosferike që i detyruan pjesëmarrësit të futen në godina për t’i shpëtuar shiut të orëve të vona. Një ngjarje e tillë në këtë fundjavë qershori e ka zhveshur portin më të madh të vendit nga e kaluara jo e largët që i dha atij imazhin e një porti militar të ruajtur nga forcat Komando, si dhe nga të qenët një objekt-fortesë i paprekshëm nga kushdo. Të hysh në port duhet të kesh leje të posaçme, po këtë fundjavë porta portuale u hap për të gjithë. Arti bashkëkohor dhe shfaqjet e tij mbërritën përmes kësaj porte të hapur duke i dhënë një tjetër dimension. “Me hapjen e portit për një event të këtyre përmasave, hapet edhe një formë tjetër komunikimi nëpërmjet shfaqjes artistike dhe asaj ekonomike duke përcjellë hapësira të reja të komunikimit art-publik-ekonomi”, u shprehën drejtues të Autoritetit Portual Durrës. Në këtë ngjarje të veçantë për portet shqiptare mori pjesë dhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti unik. Fjala e hapjes është mbajtur nga drejtori ekzekutiv i APD-së, Eduard Ndreu. Kjo ngjarje e shumëllojshme artistiko-kulturore u organizua në ambientet e brendshme të Portit të Durrësit. Programi i pasur artistik kishte në të shfaqje të dancit modern e kontemporan, koncert me muzikë pop e rok, ekspozitë të arteve figurative nga 15 artistë shqiptarë të njohur dhe jashtë vendit, ekspozitë fotografike e zhvillimit të Portit të Durrësit në vite. Përmes aktiviteteve të ndryshme u bë dhe promovimi i hapësirës dhe menaxhimit portual si lokomotivë e aspiratës për progresin ekonomik në Shqipëri. Qytetarët kanë pasur mundësi të vizitojnë sektorë të ndryshëm të portit. është mirëpritur shfaqja me titull “Porti yt” në penel e ngjyra e fëmijëve të drejtuar nga piktorët e mirënjohur durrsakë Shpresa Beqiri dhe Nikolet Vasia. Përveç muzikës së DJ-ve, në koncertin pop dhe rok kanë kënduar Samanta Karravello dhe Vedat Ademi & Band, ndërsa shfaqje të dancit modern janë dhënë nën drejtimin e koreografit të mirënjohur durrsak dhe pedagogut të Akademisë së Arteve, Gjergj Prevazi. Muzika e zgjedhur me DJ ka qenë e pranishme në çdo ambient të portit duke ofruar një natë të bardhë për të gjithë të pranishmit që kanë pritur lindjen e diellit dhe fillimin e një dite të re, nga aty ku shqiptarët prej më shumë se një dekade kanë pritur të marrë jetë Korridori VIII, si një projekt paneuropian që do të siguronte zhvillim dhe prosperitet.
#