E Shtunë, 31 Tetor 2026

LETËR PUBLIKE “Rritja e çmimit të ujit, ilegale dhe absurde”

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Banorët e pallatit Nr. 21/1 në Rrugën “S.Delvina”, akuzojnë Ujësjellësin e Tiranës për faturimet e mbrapshta. Në letrën e tyre drejtuar në redaksinë tonë, ata theksojnë se është rast i rrallë që u vjen fatura dhe se gjithnjë faturimi kryhet pa prezencën e tyre. Por ajo që përbën thelbin e ankesës, është revolta që shkakton tek ata vlera e faturimit. “Sasia e ujit të harxhuar dhe të gjithë treguesit e regjistruar janë skandalozë,- thuhet në letrën e tyre.- Nuk ka ndodhur që të përballemi me fatura të tilla gjatë 25-35 vjetëve që jemi banorë të këtij pallati. Punonjësja që solli faturat është shprehur se “unë kam për detyrë ti shpërndaj ndërsa për ti mbushur i mbushin të tjerët”. Ne po përmendim vetëm disa aspekte të letrës së tyre, meqenëse Ujësjellësi e pranoi ankesën e tyre si reale. Katër prej familjeve (në letër me emra) u janë faturuar për marsin 100 000 litra ujë i harxhuar. Ata janë taksuar fiks 50 400 lekë (të vjetra) secili, çka tregon qartë regjistrimin aforfe. “Nuk ka kurrë mundësi që të ndodhë kështu edhe sikur të katër banorët të bëjnë marrëveshje për ti hapur e mbyllur rubinetat në të njëjtin orar”, thuhet në letrën e tyre publike. Sasia e ujit të faturuar për të është jashtë çdo logjike. I bie që çdo familje të përdorë për konsum ditor 3 226 litra ujë ose rreth 135 litra në orë përgjatë 24 orëve. “Ne nuk kemi toka për të vaditur. As bretkosa nuk jemi, që të rrimë gjithë ditën në ujë. Familjet tona nuk përbëhen nga elefantë që të pinë apo të lahen në një sasi kaq të madhe uji. Sa për dijeni, nuk e përdorim kurrë për të pirë. E blejmë dhe ky është një fakt më shumë që ne nuk konsumojmë aq sa shënojnë regjistruesit tuaj hajdutë.”. Më pas, banorët sjellin treguesit e sahateve dhe mesataren mujore të harxhimit që provon se kjo mesatare është disa herë me e ulët se sasia e faturuar nga 15shkurt-15 mars.
Kjo është një administratë e turpshme
Banorët tregojnë në letrën e tyre sasitë “fantastike” të ujit të faturuar, por edhe harxhimin 10 ditë pas ditës së faturimit, ku rezulton se ata vazhdojnë të harxhojnë si të çmendur rreth 400 m/3 për 10 ditë
“Sna mbetet gjë tjetër, veçse komplet pensionet tona tja japim ujësjellësit dhe të rrimë pa bukë. Futeni mirë në kokë: administratë më të turpshme, më të pacipë, më të paskrupullt nuk kemi ndeshur kurrë gjatë tërë jetës tonë,- shprehen banorët. -Regjistruesi juaj batakçi ka mbartur ujin e paravitit 2010 ( maj 2006 e në vazhdim) dhe e ka transferuar këtë vit për ta paguar me çmimin e rritur gati 10 herë të ndërmarrjes së hajdutëve.” Banorët konsiderojnë të qëllimshme të gjithë këtë, që rezulton me fatura 10 herë më ta larta se ato që u kanë ardhur vitin dhe vitet e kaluar. “Ato që sna keni faturuar atëherë, na i faturoni tani me qëllimin e mbrapshtë për ta paguar me tjetër çmim. Hile e vjetër dhe shumë e njohur për ne. Me siguri drejtori do të gradohet për mbushjen e dollapit financiar të boshatisur të qeverisë. Por mesatarja e harxhimit mujor të ujit e nxjerr zbuluar. Nuk mund të kompensohen me paratë tona ajo që nuk paguhet prej vitesh nga bashkëvendorët e drejtorit dhe të drejtuesve të tjerë të UKT. Nëqoftëse nga ndërmarrja e ujësjellësit nuk do të ketë reflektim serioz për kërkesat tona; nëqoftëse ajo do të vazhdojë të ndjekë praktikën e moslidhjes disavjeçare të kontratës me detyrimet reciproke të palëve; nëqoftëse ajo do të shfrytëzojë pozitën e saj monopol në tregun e ujit, ne, më datë 28 prill 2010 do të ndërmarrim hapin e Mosbindjes Civile. Nuk do të paraqitemi për të paguar faturat. E drejta jonë për mosbindje buron nga serioziteti dhe rigoroziteti që kemi treguar ndaj shtetit duke ja paguar çdo detyrim në kohën dhe masën e duhur. Asnjëherë gjatë gjithë jetës sonë nuk u jemi shmangur detyrimeve ndaj tij. Të na përgjigjet me të njëjtin rigorozitet përndryshe nuk kemi pse ta konsiderojmë shtet të qytetarëve por kundërshtarin e tyre. Ne po ju dalim borxhit.! Theksojmë se rritja drastie e çmimit të ujit është për ne qytetarët e papërballueshme dhe një absurditet që i kapërcen caqet e imagjinatës sonë. Ne nuk jemi njoftuar paraprakisht për këtë masë dhe nuk e dimë kohën e fillimit të saj. Rritja e çmimit ka qënë ilegale dhe si e tillë antidemokratike. Kërkojmë nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, ajo për Mbrojtjen e Konsumatorëve të verifikojnë përgjegjësit dhe labirinthet e këtij vendimi që me siguri ka kupolë mafioze dhe inspirim antiqytetar”, përfundon letra e 6 banorëve.
Banorët e Pallatit 21/1-Pëllumb Zaimi/ Kodhel Ismaili/ Shefit Leonari/Sotir Stafa (Strejo)/Idajet Pulaj/Masar Baçi/Halil Bici

TAb
Familjarët Sasia e ujit që Mesatarja e harxhimit Mënyra e llogaritjes
regjistron sahati për çdo muaj së mesatares mujore
matës për 46 Maj 2006-prill 2010 të ujit të harxhuar
muaj (në metër kub)
1. P.Zaimi 1232 mc 26.86 mc 1232:46=26.86 mc
2.K.Ismaili 1652 mc 35.9 mc 1652:46=35.9 mc
3. Sh.Leonari 594 mc 12.9 mc 594:46=12.9 mc
4. S.Stafa (Sterjo) 1012 m 22 mc 1012:46=22 mc
5. I.Pulaj 1290 mc 28 mc 1290:46=28 mc
6. M.Baçi 1572 mc 34.2 mc 1572:46=34.2 mc

Siç e shihni nga tabela dhe të dhënat e sakta të marra nga sahati mesatarja mujore e harxhimit të ujit nuk korespodon gjëkundi me njëqind metër kubët tuaj. Fatura juaj është 3.85 deri 7.75 herë më e lartë se kjo mesatare.

Ndërmarrja fton qytetarët që të denoncojnë, nëse ka raste të faturimit të ujit të prapambetur me çmimin e ri
Ujësjellësi i Tiranës: “Kanë gabuar faturistët”
“Qytetarët nuk e kanë konsumuar këtë sasi uji në këtë muaj, por faturistët nuk kanë shënuar sa duhet për vite”

Pas letrës që një grup banorësh të rrugës “S.Delvina” dërguan në adresë të redaksisë sonë, për faturat e fryra të ujit, gazeta “Ballkan” kontaktoi Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës. Në përgjigjen në formën e deklaratës që Ujësjellësi në përcolli dje, duket qartë se Ujësjellësi pranon se sasia e ujit që figuron në faturat e qytetarëve ankues, nuk është sasia që ata kanë konsumuar atë muaj. Por kjo është një sasi e prapambetur e pafaturuar. Ujësjellësi pranon gjithashtu, se kjo është përgjegjësi e vetë atij, e faturistëve të tij, por ndërkohë sqaron, se kjo sasi uji duhet paguar, pasi është konsumuar.
Ja edhe përgjigja zyrtare: “Lidhur me një ankesë të ardhur në Ujësjellësin e Tiranës nga 6 abonentë në rrugën “Sulejman Delvina”, Ujësjellësi i Tiranës ka këtë sqarim: Ankesa është protokolluar në datën 19.04.2010 dhe është trajtuar më datë 21.04.2010. Në bazë të verifikimit që u bë në terren, në praninë e ankimuesve dhe banorëve të tjerë të pallatit, u konstatua se ne matësat e këtyre ankimuesve ka gjendje uji të pafaturuar. Kjo vjen si pasojë e akumulimit të sasisë së konsumuar, e cila nuk është matur nga faturuesit ndër vite. Ankimuesve iu shpjegua se kjo është një përgjegjësi e Ujësjellësit, që vjen për pasojë e moskorrektësisë në punë të faturuesve. Por, nga ana tjetër, drejtuesit e Ujësjellësit u shpjeguan qytetarëve ankimues se, për çdo rast të tillë, pra, kur në matës gjendet ujë i pafaturuar, kjo sasi do të përfshihet në faturë dhe llogaritet me çmimin e mëparshëm të ujit. Ujësjellësi i Tiranës garanton qytetarët, se nuk ekziston asnjë rast që, kur në matës është gjendur ujë i pafaturuar, ai të jetë llogaritur me çmimin e ri të ujit.
Ujësjellësi i Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve, qe konstatojnë gjendje të pafaturuar, të kontaktojnë me Ujësjellësin për zgjidhjen e problemit.”
Ndërkaq, ndërsa ndërmarrja e Ujësjellësit pretendon se “nuk ekziston asnjë rast që, kur në matës është gjendur ujë i pafaturuar, ai të jetë llogaritur me çmimin e ri të ujit”, qytetarët që u paraqitën në redaksi, pretendojnë se sasia e mëparshme e ujit u ishte llogaritur me çmimin e ri dhe se vetëm dje Ujësjellësi e korrigjoi këtë faturim.

Idajet Pulaj
Nuk ka mundësi të harxhoj shumë. Jam kati i pestë
Na ka ardhur fatura e lartë, 5040 lekëtë reja. Tek Ujësjellësi në fillim nuk donin të na pranonin fare, na ndoqën. Pastaj, gjetëm një mënyrë dhe na e përcollën letrën. Na thanë që do të vinë me komision të shikojnë numrat e sahateve. Por imagjinoni, unë kam harxhuar 1290 m3 ujë për 4 vjet që kur u vunë sahatet, që i bie diçka më pak se 330 m3 na bie mesatarja vjetore e harxhimit të ujit ose 26-27 m3 si mesatare mujore. Ndërsa tani na vjen e trefishuar. Si mund të kemi harxhuar 100 m3 ujë këtë muaj?! Ne nuk e harxhojmë dot këtë sasi, se ne mezi na vjen uji si curril në katin e pestë, ndërsa në verë më shumë nuk na vjen sesa na vjen, mbushim me kova në kat të parë... 50 mijë na erdhën dritat dhe 50 mijë uji, çfarë na mbeti për të jetuar? Unë e gruaja marrim së bashku pension 240 mijë. Kemi edhe djalin pa punë. Po telefoni, ilaçet? Nuk na mbeten lekë për tu ushqyer si duhet. Ne nuk kemi mundësi të përdorim as sobë me korent, as me gaz, ne përdorim sobë me dru. Unë mbledh përditë dërrasa rrugëve, që gatuajmë (banorët pohojnë me kokë). Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe OSSH të mos bëjnë më aforfe, se tani po konfondohen gjërat dhe po flasin njerëzit e po akuzojnë edhe kryeministrin. Por secili të marrë përgjegjësinë e vet.

Pëllumb Zaimi
Ujësjellësi na përçan. Faturat e larta nuk na vijnë njëherësh
Ujësjellësi na ndëshkon prej papërgjegjshmërisë së tij, të faturistëve të tij. Sasitë e ujit që faturistët e tyre nuk na i kanë faturuar saktë, u dashka që ne ti paguajmë tani njëherësh me fatura 50 mijë lekëshe. Tani po mësojmë se e kanë ndjekur këtë taktikë edhe në hyrjet e tjera dhe në pallatet rrotull. U kanë faturuar njerëzve nën vlerë, që në momentin që do të bëhej rritja e çmimit, tua faturonin këto sasi me çmim të lartë. Por Ujësjellësi nuk e bën njëherësh me të gjithë qytetarët këtë manovër, sepse ka frikën e një reagimi të unifikuar. Ndërsa duke na penalizuar me radhë dhe jo në të njëjtën kohë, na përçan. Fqinji shikon me dyshim fqinjin, kur i thotë se harxhon pak...Nuk mund të jenë të gjithë faturistët të papërgjegjshëm dhe Ujësjellësi nuk mund të shfajësohet duke thënë se “Ne ata i kemi pushuar nga puna”. Nëse e bën një faturist, ky është faji i faturistit, por kur këto sjellje të faturistëve janë kthyer në modele pune në të gjithë Tiranën, atëherë këtu kemi të bëjmë me orientim të faturistëve nga ndërmarrja e tyre. Dhe fakti ishte se Ujësjellësi në faturën që na solli, tentoi me koshiencë të plotë të na i vinte me çmimin e ri për tu paguar sasitë e pafaturuara të ujit. Vetëm dje ata u tërhoqën nga ky qëllim dhe na thanë se do të na i vënë me çmimin e vjetër. Ky rast duhet të bëhet shkas që Ujësjellësi që sot e në të ardhmen të caktojë ditë dhe orare kur dërgon faturistët, në mënyrë që banorët të jenë vetë të pranishëm në procesin e faturimit të sahateve.

Telefona për komunikim me banorët: 2263368, 0692918006, 0695127101.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›