E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralizohet Greqia nga grevat e sektorit publik

Autori i Lajmit: Redaksia

Dhjetëra, mijëra punëtorë të sektorit publik në Greqi kanë zhvilluar dje një grevë 24-orëshe. Ata kanë zhvilluar një protestë kundër masave të ashpra që ka ndërmarrë qeveria në përpjekjet e saj për të ulur borxhin buxhetor. Në të njëjtën kohë në Athinë ndodhet grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, që po diskuton me palën greke modalitetet e mekanizmit të ndihmës për Greqinë. Sindikatat thonë se si kusht për ndihmë, Greqia duhet të rrisë moshën e pensionit dhe të shkurtojë atë që analistët e quajnë, një administratë tejet të fryrë. Në protestat e kohëve të fundit ka pasur incidente të dhunshme, ndaj mijëra oficerë të policisë janë dislokuar në kryeqytetin grek. Grevistët protestojnë sidomos kundër uljes së mëtejshme të pagave në sektorin publik dhe kundër ligjit të ri për sigurimet shoqërore, që pritet të paraqitet së shpejti në Parlament dhe parashikon jo vetëm rritjen e moshës së daljes në pension, por edhe uljen e vlerës së pensioneve.
Pra, grekët do të duhet të punojnë më shumë e të inkasojnë më pak, kur të ndërpresin përgjithmonë marrëdhëniet në punë. Dje ishte në grevë i gjithë sektori publik, rrjedhimisht nuk funksionojnë ministritë dhe shërbimet publike. Në grevë ndodhen që prej ditës së mërkurë edhe mjekët e spitaleve, si dhe punojësit e portit të Pireut, me rezultat që 24 orët e fundit të mos jetë nisur asnjë traget.
Në momentin e fundit kanë vendosur të mos marrin pjesë në grevë punonjësit e aeroportit ndërkombëtar të Athinës dhe kjo për arsye të gjendjes së vështirë që u krijua në trafikun ajror të gjithë Evropës, për shkak të hirit vullkanik.
Grevat në Greqi
Pavarësisht se grevat janë zhvilluar si protesta ndaj masave të ashpra të qeverisë, kjo e fundit paraqitet e vendosur që mos të bëjë asnjë tërheqje, përndryshe nuk ka asnjë hapësirë për të devijuar nga vija e ashpër.
Kryeministri Jorgos Papandreu theksoi përsëri vendosmërinë e qeverisë, duke thënë se është obligim historik që qeveria të marrë çdo vendim që i shërben mënjanimit të më së keqes. “Përballë deficitit të tmerrshëm, Greqia nuk kishte asnjë rrugëdalje, përveç të shpallte falimentimin e ti drejtohej FMN-së”,- tha zoti Papandreu, duke argumentuar marrjen e masave të ashpra, që sipas tij, duhej të ishin marrë 20 vjet më parë. Por nga ana tjetër, qeveria e përllogarit edhe koston politike dhe vazhdon të rezistojë ndaj rekomandimit për shkurtime drastike në administratën publike. Qeveria greke paraqet si kundërargument faktin se ka ngrirë emërimet në sektorin publik për vitin në vazhdim, ndërsa nga viti i ardhshëm, për çdo pesë veta që do të largohen nga ky sektor, do të emërohet vetëm një punonjës i ri.
Bisedimet për paketën
Sipas burimeve greke, konsultimet kanë të bëjnë me modalitetet e aktivizimit të mekanizmit të ndihmës, atëherë kur Greqia do ta kërkojë këtë gjë. Kryeministri Papandreu tha se Athina ende nuk e konsideron të nevojshme, të paktën për ditët e ardhshme. Por objekti kryesor i punës së ekspertëve ka të bëjë me masat që Greqia do të duhet të marrë vitin e ardhshëm, të cilat do të sanksionohen në një dokument që do të firmoset si nga pala greke, ashtu dhe nga Trojka, pra Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN. Masat kanë të bëjnë me luftimin e shpërdorimeve në sektorin publik, eficenca e administratës publike, dhe menaxhimi i borxhit të Greqisë.

Eurostat: “Deficiti buxhetor shkon në 13.6 %”

Raporti i fundit i shërbimit statistikor Evropian, Eurostat, jep shifra të reja të borxhit të Greqisë, më shumë se 120 % e produktit të përgjithshëm kombëtar, ndërsa deficiti buxhetor është afërsisht 13,5%, në krahasim me 12. 9 % që Athina ia kishte deklaruar Brukselit. Kjo shifër mund të rritet, për zyrën e shërbimit statistikor evropian mbeten ende pasiguri që mund të çojë në një rritje tjetër nga 0.3 në 0.5 %. Ministri i Financave greke, Jorgo Papakonstantinou, ka konfirmuar sot se kalkulimet e reja të deficitit nga Eurostat “nuk do të ndryshonin objektivin për të zvogëluar deficitin në të paktën 4 % më 2010, në bazë të programit për zhvillim dhe stabilizim. Qeveria, konfirmohet në një komunikatë të ministrisë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar aktualizimin e planit.
Aktualisht, në Athinë ndodhet grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, që po diskuton me palën greke modalitetet e mekanizmit të ndihmës për Greqinë.
Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›