E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktima të komunizmit, zbulohen varret me 80 kufoma në Ballsh

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Një varrezë e përbashkët e të paktën 80 njerëzve, të gjithë siç dyshohet viktima të regjimit komunist është zbuluar pak kohë më parë në Ballsh.
Zbulimi i varrezës masive ka ndodhur në fakt pak ditë para se një e tillë të gjendej në zonën e Dajtit gjatë kërkimeve private të familjarëve të njerëzve të vrarë nga regjimi komunist. Drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka ka pohuar dje se në Ballsh është gjetur një varrezë masive me të paktën 80 persona të vrarë nga regjimi komunist.
Simon Miraka
Drejtori i Institutit të të Përndjekurve politikë, Simon Miraka tha se në vendin ku ishin groposur personat e pushkatuar janë gjetur edhe shishe, të cilat kanë brenda tyre letrat ku janë shkruar emrat e viktimave. Sipas tij, me anë të emrave në shishe do të bëhet e mundur identifikimi i skeleteve pa pasur nevojë të bëhet ADN-ja. Ndërkohë në lidhje me ngritjen e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Miraka theksoi se së shpejti do të ngrihet një bord prej 7 personash që më pas do të zgjedhin drejtorin ekzekutiv dhe më pas do të fillojë nga puna për studimet shkencore. Nga ana tjetër, mësohet nga burime të policisë, se bëhet fjalë për ish-repartin e quajtur 309/1 në Ballsh. Sipas burimeve nga Mjekësia Ligjore ende nuk është bërë e mundur të identifikohen viktimat e gjetura në këtë varrezë megjithatë në dokumentet dhe dosjet e kohës, konfirmohet se personat e varrosur janë vrarë nga regjimi komunist gjatë viteve të diktaturës duke filluar që pas viteve 43. Nga të dhënat e policisë mësohet se viktimat janë persona, të cilët janë ekzekutuar edhe në zona të tjera të Shqipërisë dhe pas vrasjes janë varrosur në Ballsh.
Eshtrat e gjetura në Dajt
Instituti i Mjekësisë Ligjore pritet që të kryejë edhe analizat e ADN-së për 19 skeletët e gjetur vetëm pak kohë në Dajt. Mjekësia Ligjore ndërkohë i ka formësuar 19 skeletët dhe pritet të dalë me një përfundim zyrtar në lidhje emrat e personave që janë pushkatuar kështu gjatë kohës së regjimit. Pritet që nga ekspertiza mjeko-ligjore të arrihet edhe në një konkluzion se me çfarë arme janë vrarë.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›