E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Prefekti Kruja: “Arsyet e konfliktit me Bashkinë”

Autori i Lajmit: Redaksia

Bashkia e Tiranës kërkon largimin e zotit Kruja si anëtar i KKRT, madje ka bërë edhe një padi. Kjo situatë bllokuese nga të dy palët ka vështirësuar aktivitetin e ndërtuesve, por edhe të njerëzve të thjeshtë. Një listë të pastrehësh që duhet të marrin apartamente nuk merr formë në prefekturë dhe shumë çështje të tjera kanë mbetur pezull. Cilat janë arsyet e bllokimit të lejeve të ndërtimit dhe shqetësimi i Shoqatës së Ndërtuesve, ndarja e apartamenteve për të pastrehët dhe konflikti për sheshin në qendër të Tiranës... Të gjitha këto çështje nën këndvështrimin e prefekti i Tiranës, Keltis Kruja, në një intervistë për gazetën “Ballkan”

Procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit është bllokuar. Nga ana e saj, Shoqata e Ndërtuesve ka dalë publikisht duke deklaruar se firmat e ndërtimit po falimentojnë. Përballë kësaj situate ju si e shpjegoni këtë vonesë, kur do të mblidhet KRRT e Tiranës për dhënien e lejeve?

KRRT e Tiranës ka kohë që nuk mblidhet dhe kjo situatë duhet të marrë fund. Më duhet ti sqaroj qytetarët se thirrja e mbledhjes së këtij Këshilli është kompetencë e kryetarit të KRRT-së, i cili është edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Unë jam njohur me shqetësimin e Shoqatës së Ndërtuesve dhe më duhet të them se është plotësisht e drejtë kërkesa e tyre. Nuk i di arsyet që ka z.Rama për të mos e thirrur mbledhjen e KRRT-së, por çfarëdolloj qofshin ato, nuk përligjin mbajtjen peng të zhvillimit të qytetit apo interesave të drejta të pronarëve dhe ndërtuesve.

Prefektuara pak kohë më parë ka akuzuar Bashkinë e Tiranës për abuzime me lejet e ndërtimit për periudhën 2000-2005. Ku bazohen akuzat tuaja dhe çfarë është bërë konkretisht me padinë e ngritur në Prokurori?
Institucioni që unë drejtoj ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për KRRT-në e Tiranës. Bëhet fjalë për disa leje ndërtimi të dhëna gjatë viteve 2000-2005. Këto leje janë dhënë në shkelje të ligjit për Urbanistikën i cili përcakton si një nga kriteret për të marrë lejen e ndërtimit edhe pajisjen me leje nga sektori i PMNZSH (Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit) pranë Prefektit të Qarkut, kriter i cili nuk është përmbushur. Prokuroria po vazhdon hetimet për çështjen dhe unë kam bindjen që abuzuesit do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Duket se marrja e një leje për shesh ndërtimi apo leje ndërtimi për një objekt, është tejet e vështirë, në kushtet e mungesës së sipërfaqeve të lira. Sa leje pritet të jepen dhe në cilat zona?

Unë besoj që procesi i marrjes së lejes së ndërtimit vështirësohet edhe nga drejtuesit dhe administrata e Bashkisë. Më duhet tu bëj me dije lexuesve se shqyrtimi nga KRRT është finalizimi i procedurës për marrjen e një lejeje ndërtimi. Ka disa hallka të tjera që janë në varësi direkte të kryetarit të Bashkisë, siç janë drejtoria e Urbanistikës apo Këshilli Teknik, të cilat duhet të jenë më eficiente dhe sigurisht më transparente në punën e tyre. Sa i përket numrit të lejeve, kjo është e lidhur me studimin e plotë urbanistik të Tiranës, i cili, për fat të keq, akoma mbahet peng nga Bashkia e Tiranës.

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme për qytetarët e Tiranës është edhe çështja e strehimit. Lista përfundimtare me numrin e të pastrehëve duhet të marrë edhe firmën e prefektit. Sa transparente është për ju si institucion ndarja e apartamenteve për familjet e kryeqytetit?

Ndarja e apartamenteve për të pastrehët është kompetencë e Bashkisë së Tiranës dhe Këshillit Bashkiak të saj. Unë nuk kam informacionin e nevojshëm për këtë proces, por më duhet të them që transparenca e Bashkisë së Tiranës lë shumë për të dëshiruar jo vetëm në këtë proces, por në të gjithë veprimtarinë e saj dhe shkak për këtë janë drejtuesit e Bashkisë.

Nisja e punimeve për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” në qendër të Tiranës është kthyer në një debat kohët e fundit mes Bashkisë dhe Qeverisë. Ju si e komentoni këtë situatë?

Tashmë të gjithë janë njohur me shkeljet ligjore që shoqërojnë vendimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të ndërhyrë në sheshin kryesor të kryeqytetit. Unë nuk do ta konsideroja si konflikt të qeverisë me bashkinë, por më tepër do ta konsideroja një konflikt të brendshëm të z.Rama, një paaftësi për të ndarë funksionin e tij politik nga ai publik. Sheshi kryesor historik i qytetit nuk mund të trajtohet si plaçkë politike për të nxjerrë përfitimet e radhës. Ky shesh është i qytetarëve të Tiranës dhe z.Rama është aty për tu shërbyer këtyre qytetarëve që e kanë votuar pikërisht për këtë. Unë do ti sugjeroja kryetarit të Bashkisë që takimet e pavlera, që mezi po i organizon për transparencë, siç thotë ai, ti shndërrojë në takime me qytetarët e Tiranës për tu bërë transparent projektin e ndryshimit të sheshit.

Ky lajm është publikuar: 23/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›