E Shtunë, 31 Tetor 2026

LGBT kërkon shkarkimin e Ekrem Spahiut: Po nxit urrejtje

Share

Komuniteti LGBT ka reaguar në lidhje me deklaratat e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, që doli kundër një parade të paralajmëruar të homoseksualëve në Tiranë.

Deklarata në fjalë përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë që e ndalon në mënyrë kategorike nxitjen e urrejtjes përmes shtypit të shkruar. Gjithashtu kërcënimet e hapura për të dhunuar individë të caktuar në Republikën e Shqipërisë përbëjnë edhe vepër penale. Të ndodhur para një fakti të tillë, ne i kërkojmë kryeministrit z. Sali Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami që të shkarkojnë urgjentisht Ekrem Spahinë nga posti i lartë që ai mban, thuhet në një deklaratë të LGTB-së.

Reagimi vjen pas deklaratës së Spahiut, i cili tha se: Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë shqiptare si vlera të rëndësishme për një komb. Unë nuk kam ndonjë koment tjetër, vetëm ti kap në hu ato. Hu është një fjalë dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome”.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit i kërkon këtij zyrtari të lartë të qeverisë shqiptare të deklarohet menjëherë mbi vërtetësinë e këtij citimi dhe të kërkojë në mënyrë urgjente ndjesë publike nëse kjo deklaratë fyese dhe denigruese është qoftë edhe pjesërisht e vërtetë.

Avokati i Popullit dënon fuqishëm çdo deklaratë dhe shprehje të këtij formati, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e tolerancës, bashkëjetesës dhe diversitetit, si vlera tradicionale të shoqërisë shqiptare. Përveç kësaj, deklarata të tilla nxisin dhunën dhe urrejtjen duke përbërë kështu edhe një vepër penale.

Avokati i Popullit e cilëson këtë një mendësi krejtësisht të papranueshme dhe apelon çdo zyrtar shtetëror të çdo niveli, mbi papajtueshmërinë flagrante të këtyre deklaratave me procesin e intergrimit dhe vlerave europiane që mbart ky proces, vlera të cilat përjashtojnë kategorikisht sjellje dhe mendësi të tilla”, thuhet në një komunikatë të Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›